Sveçla: Aleatët tanë ishin të njoftuar për vendimin për targat e përkohshme për veturat e Serbisë
Disa orë pasi filloi zbatimi i vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me targat e përkohshme për veturat e Serbisë të cilat qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, ministri Xhelal Sveçla mbajti konferencë për media.
Ministri sqaroi së përkundër që Kosova kishte pranuar që qytetarët e Serbisë të lëvizin në Kosovë me targat e tyre, këtë nuk e ka lejuar Serbia për qytetarët e Kosovës, andaj sipas tij, Kosova tani nuk po ndërmerr asgjë më shumë as më pak se atë që po bën Serbia.
Sveçla tregoi se për këtë vendim ishin të njoftuar aleatët e Kosovës, shkruan rtv21.tv
“Në vazhdimësi, për sa i takon situatës së sigurisë, ne angazhojmë të gjitha kapacitetet tona si shtet i Kosovës, por poashtu edhe bashkëbisedojmë e koordinohemi me të gjithë aleatët tanë. Edhe për këtë rast ata kanë qenë të njoftuar, mos të harrojmë se zv.kryeministri Bislimi më 9 shtator në konferencë për media ka paralajmëruar këtë veprim, tashmë është e ditur se me 15 shtator kjo marrëveshja ka skaduar si afat dhe ka qenë çështje e organizimit dhe mobilizimit”, tha ministri.
Për sa i përket barrikadave, ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të mos bllokojnë rrugët.
“Qarkullimi është e drejtë themelore e të gjithë qytetarëve”, tha ministri.
Tutje, ai bëri të ditur se gjendja e sigurisë është e qetë dhe Policia e Kosovës ka marrë masat e duhura./21Media








