”Marrin para me çanta”, AGK ngre alarmin për lirinë e medias dhe gjuhën e urrejtjes
Siguria e gazetarëve në Kosovë vazhdon të jetë e brishtë dhe gazetarët ende janë cak i sulmeve nga politika e Qeveria. Kështu u tha në prezantimin e gjetjeve kryesore mbi lirinë e medias, sigurinë e gazetarëve dhe gjuhën e urrejtjes në Kosovë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK). Po ashtu u bë e ditur se vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026 janë raportuar nëntë sulme fizike dhe jo fizike nga gazetarët në Kosovë.
Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, tha se sulmet ndaj gazetarëve po ndodhin më së shumti në hapësirën online.
“Sulmet ndaj gazetarëve vazhdojnë të ndodhin në forma të ndryshme, më së shumti në hapësirën online. Gjithashtu, gazetarët vazhdojnë të jenë cak i sulmeve nga politika, nga qeveria, nga parti politike, dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës…reagimet kërkojnë marrjen e masave të ndryshme, kjo është e rëndësishme për politikanët, për qeverinë, që të ndalin këto sulme ndaj gjuhës publike kundër gazetarëve”, tha Rexha.
Ndërsa, Jerome Bouyjou, udhëheqës i komponentit të të Drejtave të Njeriut në UNMIK tha se trendet tregojnë se mund të jemi duke lëvizur drejt një mjedisi më pak të favorshëm për gazetarinë e pavarur., raporton KosovaPress.
“Këto raporte na ofrojnë të dhëna të bazuara në dëshmi, jo thjesht një interpretim, por të dhëna të bazuara në dëshmi, duke na lejuar të masim zhvillimet dhe t’i vendosim ato brenda kontekstit më të gjerë të lirisë së mendimit dhe shprehjes, lirisë së mediave dhe zhvillimeve të fundit në Kosovë, rajon e më gjerë. Trendet që të gjithë i dëshmojmë në baza ditore tregojnë se mund të jemi duke lëvizur drejt një mjedisi më pak të favorshëm në Kosovë për shprehjen e lirë dhe gazetarinë e pavarur. Kjo nënvizon nevojën për të intensifikuar përpjekjet dhe për t’u përqendruar në parandalimin e përkeqësimit të mëtejshëm. Është thelbësore që të gjithë palët e interesuara të mbeten vigjilente dhe të përkushtuara për mbrojtjen e këtyre lirive themelore”, tha Bouyjou.
Ndërsa, profesori Jeton Mehmeti ka prezantuar gjetjet lidhur me këtë çështje, duke theksuar se gjetja kryesore është se diskursi i dëmshëm në Kosovë dominohet nga polarizimi politik.
“Gjetjet kryesore të këtij raporti—gjetja më e madhe dhe më kryesore është se diskursi i dëmshëm në Kosovë dominohet nga polarizimi politik. Nga këto 148 raste që kemi identifikuar, mbi 40% e tyre kanë të bëjnë me diskurs politik e ideologjik, me kuptimin që aktorët e ndryshëm politikë përdorin shprehje të cilat denigrojnë njëri-tjetrin dhe përdorin shprehje të tilla, sikurse që i kemi identifikuar si shprehje “tradhtar”, “agjent i huaj”, “armik”, e kështu me radhë. Pra, fjalë të cilat, në vend se të diskutojnë mbi politika publike, kanë për qëllim që të demonizojnë dhe të delegjitimojnë personin tjetër dhe të mos flitet për politika publike. Gjetja tjetër të cilën nxjerr raporti, kemi të bëjmë me një gjuhë të intensifikuar të sulmeve ndaj gazetarëve. Dhe kjo mbase është gjetja më e rëndësishme në kuptimin e impaktit që mund të ketë për institucionin e gazetarisë. Atje kemi hasur në shprehje, në diskutime, në debate, të cilat u referohen gazetarëve me terma të ndryshëm si “mercenarë”, “të paguar”, “të sponsorizuar”, “marrin çanta me para”, e kështu me radhë. Shprehje këto të cilat, gjatë këtij muaji që kemi… “, tha Mehmeti.
E Burbuqe Kastrati nga Lëvizja “Fol” u shpreh se nga raporti shihet se siguria e gazetarëve vazhdon të mbetet e brishtë, derisa theksoi se në periudhën janar-maj 2026 janë raportuar në polici 9 raste të sulmeve fizike dhe jo fizike ndaj gazetarëve.
“Gjetjet kryesore të raportit është pra që siguria e gazetarëve në Kosovë vazhdimisht, vazhdon të mbetet e brishtë, edhe pse format e kërcënimeve kanë ndryshuar ndër vite. Po flas që, në kuadër të këtij raporti kemi bërë edhe një analizë në retrospektivë, pra përpos periudhës të cilën ne kemi pasur janar-maj 2026, kemi shtuar edhe një analizë retrospektivë duke marrë parasysh pra periudhën 2021-2025, ku kemi parë që sulmet, kërcënimet dhe format e tjera të presionit ndaj gazetarëve kanë qenë sigurisht të pranishme, por që krahas këtyre incidenteve të cilat zakonisht janë tradicionale, të cilat çka ka ndodhur në terren, vitet e fundit e ka karakterizuar rritja e kërcënimeve online. Pra, fushatat online dhe domethënë sulmet në hapësirën digjitale janë ato të cilat më së shumti karakterizohen dhe kërcënojnë lirinë e mediave në vend, e me të gjitha sigurinë e gazetarëve. Të dhënat e raportit të ardhur nga institucionet, nga Policia dhe Prokuroria e Shtetit tregojnë që vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026 janë raportuar nëntë sulme fizike dhe jo fizike nga gazetarët në Kosovë. Ky është i njëjti numër i rasteve sa i raportuar gjatë tërë vitit 2025. Pra, i njëjti numër në total ka qenë numri total i raportimeve gjatë vitit 2025, kurse në këtë vit që jemi, pra 2026, tani kemi nëntë raste në total nga periudha janar-maj. Kjo praktikisht në vete tregon se problemi është mjaft serioz edhe sigurisht që kërkon një nivel mjaft të shtuar institucional”, tha ajo.
Derisa avokati, Yll Zekaj potencoi se vazhdon të jetë numri i madh i rasteve të raportimeve për këto sulme nëpër gjykata dhe se ka ende procedura të zgjatura.
“Vazhdon të jetë numri i madh i rasteve nëpër gjykata, vazhdon të jetë të zgjatur këtyre procedurave, përkundër që Këshilli Gjyqësor ka arritur që në kuadër të strategjisë për trajtimin e lëndëve të vjetra, por ju thashë gjithashtu se paditë SLAPP duhet të trajtohen me urgjencë. Ajo çka duhet të bëhet, besoj edhe që e kemi ngritur edhe si, edhe përmes AGK-së në Këshillin Gjyqësor, është që paditë SLAPP ju të keni një përgjigje të trajtimit të hapur. Të shqyrtohen në fazën e parë dhe jo pastaj të njihet kjo me fund, që e zgjat në shqyrtimin gjyqësor dhe pastaj të vërtetohet që është një padi SLAPP. Kjo është për shkakun e vetëm se kjo, domethënë i vetëmndon gazetarët nga kryerja e punëve të tyre”, tha Zekaj.










