Policia: Komuna s’ka kërkuar asistencë për largimin e strukturave paralele nga objekti në veri
(Lajm i përditësuar)
Policia: Komuna s’ka kërkuar asistencë për largimin e strukturave paralele nga objekti në veri
Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani tha se komuna nuk ka kërkuar ende asistencë për largimin e strukturave paralele serbe nga objekti që ndodhet në Lagjen e Boshnjakëve.
Ai tha para mediave se janë të gatshëm qe të ofrojnë asistencë, pavarësisht orës.
“Është e vërtetë që herën e kaluar e kemi pasur një kërkesë për asistencë dhe ne kemi qenë të gatshëm të asistojmë. Kësaj radhe deri në këtë moment kur flas me juve nuk kemi kërkesë për asistencë. Sidoqoftë ne jemi të përgatitur që në qoftë se kërkohet asistenca, ne ta ofrojmë të njëjtën. Ne nuk e kemi problem, sepse kemi krijuar përvojë tash në pjesën veriore për intervenime. Por nuk ka pasur një kërkesë të tillë”, tha Elshani.
Ai shtoi se nuk ka njohuri për ultimatumin që i është dhënë nga komuna këtyre strukturave.
“Nuk kemi njohuri se çfarë ultimatumi ka pasur, deri kur kanë pasur afat komuna, në çfarë kohë kanë dhënë afat. Ne nuk e kemi atë informatë. Atë çka e di është se në momentin që nga ana jonë do të kërkohej asistenca ne jemi të gatshëm ta ofrojmë”, shtoi ai.
Ai para mediave foli edhe për aksionin e njësive policore në një fabrikë, në afërsi të Zubin Potokut.
“Normaliteti është duke u kthyer sa i përket institucioneve, agjencive të ndryshme në veri të Kosovës. Ne kemi asistuar AKP-në, e kemi asistuar sot. Nuk është diçka e jashtëzakonshme kjo. Ne kemi pranuar një kërkesë për asistencë nga ana e AKP-së, para disa ditëve dhe ne sot kemi ofruar asistencën tonë. Kanë qenë njësitë e veriut që kanë asistuar në atë vend…Sipas AKP-së, ata kanë pronë aty dhe kanë shkuar të vizitojnë pronën e vet dhe të evidentojnë disa pajisje që janë aty. Në fakt është hera e dytë që kemi ofruar asistencë në atë vend aty, sepse herën e parë kur kanë shkuar ka, qenë e mbyllur dhe sot kanë kërkuar ta hapin me forcë. Ajo është hapur dhe verifikuar nga ana e AKP-së dhe është kryer procedura me ta”, deklaroi ai.
Elshani nuk ka dhënë detaje sa i përket hetimeve në rastin ku është gjetur armatim para disa ditëve, me arsyetimin se nuk duan ta dëmtojnë procesin e hetimeve.
Ende nuk është liruar objekti në Lagjen e Boshnjakëve nga përfaqësuesit serbë
Ende nuk është liruar objekti në Lagjen e Boshnjakëve nga përfaqësuesit serbë pavaresisht vendimit të insotutcioneve të Kosovës se ky objekt i përket Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Ekipi i RTV21 po qëndron atje nga ku do ju sjellim zhvillimet më të reja.
Afati i fundit për largimin e institucioneve serbe nga objekti në Mitrovicë të Veriut
Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar se deri më 8 shtator, katër institucione serbe duhet të largohen nga një objekt në Lagjen e Boshnjakëve, pasi kanë argumentuar se i përket komunës së Mitrovicës së Veriut.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se “deri më tani nuk kemi asnjë kërkesë” nga komuna për të asistuar në largimin e këtyre institucioneve nga ky objekt. Megjithatë, ai shtoi se policia është e gatshme të kryejë detyrat e saj për këtë çështje në momentin që i kërkohet.
Mëngjesin e së premtes situata para këtij objekti ishte e qetë.
Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale prej kohësh përdorin këtë ndërtesë komunale.
Një aksion për largimin e këtyre institucioneve të Serbisë nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut, fillimisht ishte paraparë të zhvillohej më 25 gusht, por ishte shtyrë për dy javë.
Para kësaj, inspektorati komunal u kishte dërguar këtyre institucioneve një paralajmërim që të lironin zyrat pasi ato nuk kishin dorëzuar dokumente apo kontrata për të dëshmuar se kanë leje ta shfrytëzojnë objektin.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, më 7 shtator iu drejtua komunitetit ndërkombëtar, përfshirë shteteve të QUINT-it dhe përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, duke thënë se paralajmërimi për largimin nga ky objekt i institucioneve serbe “mund të çojë në thellimin e krizës në veri të Kosovës dhe rritjen shtesë të tensioneve në terren”.
Në letrën, që Petkoviq u dërgoi përfaqësuesve ndërkombëtar, u tha se veprimet e tilla të “njëanshme dhe joligjore nga Prishtina paraqesin një provokim të rrezikshëm” që sipas tij kërcënojnë të drejtat dhe jetën e popullit serb që jeton në veri të Kosovës.
Ndërkaq, më 6 shtator, Lista Serbe –partia më e madhe e serbëve të Kosovës dhe gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – tha se institucionet serbe nuk do të largohen nga objekti.
Autoritetet në Mitrovicë të Veriut kanë argumentuar se objekti u përket atyre dhe se i njëjti duhet të lirohet për shkak të disa “punimeve”. Megjithatë, në një deklarim të mëhershëm për REL-in, ato nuk specifikuan për çfarë lloj punimesh bëhet fjalë.
Mitrovica e Veriut gjendet në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe. Kjo komunë, së bashku me tri komuna të tjera në veri, që nga prilli kanë kryetarë shqiptarë, të cilët u zgjodhën në votimet e bojkotuara nga popullata serbe.
Në fund të majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën, pasi kryetarët e rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.
Pas rritje së tensioneve, Qeveria e Kosovës u pajtua në korrik që të ndërmerrte hapa drejt shtensionimit të plotë të situatës. Një ndër hapat për të cilat u pajtuan Prishtina dhe Brukseli parasheh edhe krijimin e bazës ligjore që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri.
Në këtë drejtim, më 5 shtator u publikua udhëzimi i ri administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave përmes një peticioni./rel











