Për afro 3 javë rreth 10 mijë vizitorë në pishinën e Gërmisë, ankohen për çmime të larta
Një numër i madh qytetarësh shfrytëzuan pishinën e Gërmisë që nga hapja e saj para 3 javësh, ndërsa ditëve të fundit fluksi u rrit për shkak të valës së të nxehtit.
Megjithatë, prishtinasit ankohen për çmimet e larta që i ofron pishina e Gërmisë, si një nga vendet e pakta të freskisë brenda qytetit. Ankesa ka edhe për nivelin e pastërtisë.
Në këto ditë të nxehta qytetarë të shumtë po mundohen të gjejnë pak freski në pishina. E si çdo herë, ajo e Gërmisë vazhdon të mbetet destinacioni i preferuar për të gjitha grupmoshat.
Rreth 10 mijë qytetarë vizituan pishinën e Gërmisë për afro 3 javë që kur u hap për shfrytëzim. Por, shqetësim për qytetarët mbetet çmimi i lartë për hyrje në pishinë.
Gjatë ditëve të javës hyrja për fëmijë është 2 euro, ndërsa 4 euro është për të rriturit, çmim ky i cili ngritet për një euro më shumë në fundjavë.
Ani pse për pensionistët hyrja është pa pagesë, ata ankohen për çmimine lartë të shërbimeve të tjera në këtë pishinë publike.
“…çmimet janë shumë të nalta, në bazë të standardit për momentin cmimet janë shumë të nalta. E kanë bo për penzionerët hyrjen pa pare, po kur te hysh ulsen e ke 5 euro. Pra, e kanë gjetë mënyrën metoden qysh me na shfrytëzu…”, tha qytetari, Islam Aliu.
“Uji i pastër uji i mirë, ju rritë nera kryetarit Rama, na ka nderu neve penzionerave pa pare…Gjithë vij, për ditë…”, tha qytetari Ali Aliu.
“Mendoj që ka nevojë për disa ndryshime me kanë uji ma i pastër, edhe me kanë çmimet pak ma të ulëta”, tha Leon Vitija.
Menaxheri i kësaj pishine, Mërgim Mula, thotë se çmimet janë të njëjta me të vitit të kaluar.
“Po nga data 28 qershor pishina e Germisë është zyrtarisht e hapur, këtë vit për dallim prej viteve të tjera jemi shumë më të përgatitur, duke nisë prej infrastrukturës kogja komode për të akomoduar shumë qytetarë. Sa i përket cmimeve, janë të njejta si vitin e kaluar, i vetmi dallim është gjatë vikendit ku tarifa nga 4 për të rritur bëhet 5 ndërsa për fëmijë ditëve të javës si gjatë vikendit është 2 euro…”
Përkundër pakënaqësive të shumta rreth çmimit të shërbimeve, moshat më të reja këtë pishinë e shohin si shumë të përshtatshme për not.
“Gjithë vi përveç të dieleve. Më pelqen noti kursi i notit edhe kaniher edhe topogani më pëlqen…”, tha Ema Menxhiqi.
“Vi 6 herë për veç të dieleve. Shumë më pelqen me notu në gërmi, ka shumë vend hapësirë, më pëlqen edhe topogani…”, tha Dhurata Menxhiqi.
Pishina e Gërmisë e njohur edhe si Liqeni i Gërmisë është e tipit të hapur, në pjesën periferike të kryeqytetit të Kosovës, në një distancë prej afër 5 km nga qendra e Prishtinës. Ajo është ndërtuar në vitin 1987 në kuadër të Parkut të Gërmisë./RTV21/21Media











