RTV21 LIVELIVE
Edicioni Qendror18:0019:0023 min mbeten
Moti…
BallinaKosova
Miliona euro të papaguara për pensionet e minatorëve të Trepçës
🇽🇰 Kosova

Miliona euro të papaguara për pensionet e minatorëve të Trepçës

Në horizontet e errëta të Minierës së Stantërgut, ku zhurma e makinave përzihet me lodhjen e viteve, Fehmi Meha shtyn ngadalë një makinë të prishur. Këtë punë e ka bërë për më shumë se katër dekada. P

nga Gentrita Xhemajli6 qershor 20266 qershor 2026

Në horizontet e errëta të Minierës së Stantërgut, ku zhurma e makinave përzihet me lodhjen e viteve, Fehmi Meha shtyn ngadalë një makinë të prishur.

Këtë punë e ka bërë për më shumë se katër dekada. Por sot, përveç peshës së metalit, ai bart edhe një shqetësim që nuk lidhet me nëntokën: të ardhmen e tij pas pensionit.

“Edhe një vit dal në pension… por nuk e di nëse do t’i marr kursimet e mia”, thotë 64-vjeçari, i cili që nga viti 1983 punon si mjeshtër i makinave që transportojnë xehe në kombinatin e Trepçës.

Ndërsa numëron muajt e fundit në punë, ai është i shqetësuar për mungesën e kontributeve pensionale që, siç thotë, nuk i janë paguar rregullisht nga punëdhënësi për më shumë se gjashtë vjet.

“Janë mbi 5 mijë euro borxh. Nuk e di shumën e saktë, por e di që janë paratë e mia, të fituara me punë”, thotë Meha për Radion Evropa e Lirë.

Për të, situatën e rëndon edhe më shumë fakti se nga paga e tij prej rreth 720 eurosh në muaj, vazhdojnë t’i ndalen 5 për qind për kontribute pensionale, por ato nuk transferohen në Fondin e Kursimeve Pensionale – institucioni shtetëror që menaxhon kursimet pensionale të punëtorëve në Kosovë, i njohur si Trust.

“Kjo është e padrejtë. Me duart tona i kemi fituar këto para”, shprehet Meha.

Një problem sistemik

Sipas ligjit në Kosovë, çdo i punësuar paguan 10 për qind kontribute pensionale – gjysma paguhet nga punëdhënësi dhe gjysma nga paga e punëtorit.

Këto mjete grumbullohen nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe transferohen në llogaritë individuale në Trust.

Por, të dhënat tregojnë një realitet tjetër për disa punëtorë të Trepçës.

Një pasqyrë e llogarisë së një punonjësi në Trust, e siguruar nga Radio Evropa e Lirë, tregon se nga viti 2020 deri në maj të këtij viti – gjithsej 77 muaj – kontributet janë paguar vetëm për 25 muaj.

Pagesat janë përqendruar kryesisht në vitet 2022 dhe 2023, ndërsa në vitin 2021, 2025 dhe gjatë këtij viti mungojnë.

Ky problem nuk është i izoluar.

Sabri Ismaili, me 44 vjet përvojë pune në Trepçë si kryepunëtor, përballet me të njëjtin shqetësim.

“Pensioni prej rreth 200 eurosh nuk mjafton as për shpenzime bazike. Më mungojnë mjetet nga Trusti… pa ato para nuk e di se si do t’ia dal”, thotë Ismaili, gati 65 vjeç, për Radion Evropa e Lirë.

Kjo situatë është “jonjerëzore” sipas tij, sidomos në një kohë kur, siç thotë, ndërmarrja raporton rritje të prodhimit dhe të fitimit.

Kombinati Trepça, dikur shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës dhe një ndër ndërmarrjet më të mëdha industriale në ish-Jugosllavi, sot operon me kapacitete dhe staf të reduktuar ndjeshëm.

Deri në vitet ’90, në të punonin mbi 22 mijë njerëz. Sot, në minierat e Mitrovicës, Kishnicës, Stantërgut e Artanës, numri i punëtorëve ka rënë në rreth 1.040.

Megjithëse të shpërndarë në disa njësi, minatorët ndajnë të njëjtat shqetësime.

Shemsi Avdyli, 44 vjeç, ndihmësxehetar në Artanë, thotë se në Trust ka të regjistruar vetëm disa muaj kontribute.

E njëjta situatë paraqitet edhe për kolegun e tij, Tahir Gashi.

Ai tregon se në llogarinë e tij në Trust figurojnë pagesat vetëm për tre muaj të vitit 2021.

“Kjo është djersa jonë. Nuk e kam besuar kurrë se mund të ndodhë kjo në Trepçë. Punojmë me pajisje të vjetruara, në kushte të vështira dhe paratë tona na ndalen… është tmerr”, thotë Gashi.

Sindikata: Shkelje ligjore dhe diskriminim

Gani Osmani nga Sindikata e Pavarur e Minatorëve thotë se kjo çështje është ngritur vazhdimisht te menaxhmenti dhe qeveritë, por pa rezultat konkret.

Sipas tij, borxhi për secilin punëtor varion nga 6.000 deri në 10.000 euro.

“Në vend që minatorët të jenë më të respektuarit, kanë mbetur më të diskriminuarit. Mospagesa në Trustit është shkelje ligjore”, thotë Osmani për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se ka raste kur disa minatorë kanë dalë në pension – madje edhe kanë ndërruar jetë – pa i marrë këto mjete.

Pasojat pas pensionimit

Për Islam Kurtin, 68 vjeç, kjo nuk është më frikë, por realitet.

Ai është pensionuar para tre vjetësh nga Miniera e Stantërgut dhe thotë se në Trust i mungojnë rreth 6.000 euro.

Sot merr rreth 200 euro nga Trusti dhe 214 euro pension nga skemat shtetërore.

“Në Trust më kanë mbetur para të mia edhe për një vit e gjysmë. Nëse Trepça nuk e rimburson pjesën tjetër, nuk e di çka të them… nuk e di se si do të jetoj me 214 euro në muaj”, thotë Kurti.

Qindra minatorë, ndërkohë, kanë ngritur padi civile në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. Në mesin e tyre edhe kryetari i Sindikatës, Ibrahim Januzi, por, sipas tij, vendimi i shkallës së parë ka qenë në favor të ndërmarrjes.

Radio Evropa e Lirë kërkoi përgjigje nga kjo gjykatë lidhur me rastet e iniciuara nga minatorët dhe vendimet e marra në këto procese, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Një borxh milionësh pa afat për shlyerje

Menaxhmenti i Trepçës thotë për Radion Evropa e Lirë se pagesat në Trust nuk janë bërë kryesisht që nga viti 2022, por nuk sqaron arsyet.

“Vlera e borxhit është rreth gjashtë milionë euro, përfshirë interesin”, thuhet në përgjigjen e dërguar me shkrim.

Aty nuk jepet as edhe ndonjë afat i mundshëm për shlyerjen e këtij borxhi.

Qeveria e Kosovës – që zotëron 80 për qind të aksioneve në Trepçë, ndërsa 20 për qind u takojnë punëtorëve – nuk iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë për këtë çështje.

Në përgjigjen e Administratës Tatimore të Kosovës thuhet se janë ndërmarrë disa masa ligjore për inkasimin e borxhit, përfshirë gjoba dhe ndalim të shitjes së pronave të luajtshme dhe të paluajtshme, por se është shmangur bllokimi i llogarive për të mos rrezikuar funksionimin e ndërmarrjes.

“Është vlerësuar se një masë e tillë do të pengonte zhvillimin e aktivitetit të ndërmarrjes dhe do të mund të shkaktonte pasoja sociale, përfshirë vështirësi në pagesën e pagave të punëtorëve”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Ky institucion nuk sqaron se sa është vlera e borxhit total, duke thënë se “të dhënat e kërkuara janë konfidenciale”.

Sipas ish-drejtorit të ATK-së, Ilir Murtezaj, ndërmarrjet publike shpesh janë trajtuar me tolerancë, për shkak të rëndësisë së tyre ekonomike dhe sociale.

Ai thotë se, në rast të vonesës ose mospagesës së detyrimeve, ATK-ja ka të drejtë të ndërmarrë masa ligjore për mbledhjen e borxhit, duke filluar nga shqiptimi i gjobave dhe kamatave deri te bllokimi i llogarive bankare.

“…por, ndërmarrjet publike janë raste më specifike për shkak të numrit të madh të punëtorëve dhe rëndësisë së tyre për funksionimin ekonomik dhe social. Në shumë raste, shteti ka ndërhyrë duke i mbështetur financiarisht këto ndërmarrje për t’i ndihmuar në tejkalimin e problemeve”, thotë Murtezaj për Radion Evropa e Lirë.

Në vitin 2024, Qeveria e Kosovës ndau katër milionë euro për mbulimin e pagave të punonjësve të Trepçës.

Por, në gjithë këtë paqartësi institucionale, më të ekspozuarit mbeten vetë minatorët, veçanërisht ata që janë afër pensionimit, si Fehmi Meha.

Pas dekadash në minierë, ai thotë se ka humbur besimin se do të shohë ndonjëherë një pjesë të kursimeve të tij pensionale.

“Nuk është dashur të vijë puna deri këtu”, thotë ai, ndërsa shtyn makinën drejt repartit të riparimit./rel

Kundërshtimet ndaj FIFA-s shtohen, edhe Konfederata Aziatike i bashkohet UEFA-s kundër planit të Infantinos
LAJMI TJETËR →
Kundërshtimet ndaj FIFA-s shtohen, edhe Konfederata Aziatike i bashkohet UEFA-s kundër planit të Infantinos

Lexo edhe

Policia shton masat e sigurisë për “Sunny Hill”, paralajmëron bllokime rrugësh
Kosova

Policia shton masat e sigurisë për “Sunny Hill”, paralajmëron bllokime rrugësh

1 min më parë
Rrezik për jetën e punëtorëve, pezullohen punimet në dy kantiere ndërtimi në Prizren e Suharekë
Kosova

Rrezik për jetën e punëtorëve, pezullohen punimet në dy kantiere ndërtimi në Prizren e Suharekë

13 min më parë
Të shtunën i jepet lamtumira e fundit Lisa Milicaj Bajraktarit, RTV21 ju shpeh ngushëllime familjarëve
Kosova

Të shtunën i jepet lamtumira e fundit Lisa Milicaj Bajraktarit, RTV21 ju shpeh ngushëllime familjarëve

29 min më parë
Në Prishtinë nis gjykimi në mungesë kundër 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut
Kosova

Në Prishtinë nis gjykimi në mungesë kundër 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut

1 orë më parë
Bashkëpunimi Kosovë–SHBA , AFA kërkon rifillimin e dialogut strategjik
Kosova

Bashkëpunimi Kosovë–SHBA , AFA kërkon rifillimin e dialogut strategjik

1 orë më parë
Ekstradohet nga Kosova për në Suedi, i kërkuari me letër rreshtim ndërkombëtar
Kosova

Ekstradohet nga Kosova për në Suedi, i kërkuari me letër rreshtim ndërkombëtar

2 orë më parë

Më të fundit

Të gjitha →
​Katër të akuzuarit në rastin “Toka 2” dënohen me gjithsej 32 vjet burgim
Kosova

​Katër të akuzuarit në rastin “Toka 2” dënohen me gjithsej 32 vjet burgim

2 orë më parë
Kuvendi i LDK-së me vendim përcaktoi si orientim angazhimin për shmangie të zgjedhjeve
Kosova

Kuvendi i LDK-së me vendim përcaktoi si orientim angazhimin për shmangie të zgjedhjeve

2 orë më parë
Sunny Hill hap dyert sot, Kosova bëhet qendra e muzikës për tri ditë
Kulturë

Sunny Hill hap dyert sot, Kosova bëhet qendra e muzikës për tri ditë

3 orë më parë
Haxhiu e quan lajm të mirë Kuvendin e djeshëm të LDK-së
Kosova

Haxhiu e quan lajm të mirë Kuvendin e djeshëm të LDK-së

3 orë më parë