Moti…🔎 Kërko
RTV21
BallinaLajme
📰 Lajme

IKD: KPM po cenon seriozisht lirinë e mediave

nga B G11 qershor 2026
IKD: KPM po cenon seriozisht lirinë e mediave
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me vendimmarrjen e fundit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), duke vlerësuar se këto vendime po cenojnë seriozisht lirinë e mediave dhe po tejkalojnë mandatin ligjor të këtij institucioni. Sipas IKD-së, KPM po vepron përtej kompetencave të saj duke marrë rolin e gjykatës dhe duke sanksionuar mediat për deklarata të bëra nga persona të tretë gjatë emisioneve televizive. Kjo qasje, sipas institutit, krijon një standard të rrezikshëm për funksionimin e mediave dhe debatit publik në një shoqëri demokratike. IKD thekson se KPM duhet të vlerësojë vetëm sjelljen editoriale të mediumit, si ndërhyrjen e moderatorit, balancimin e debatit dhe mundësinë për përgjigje, e jo të gjykojë përmbajtjen e deklaratave të të ftuarve. Në reagim, IKD kujton edhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se ndëshkimi i mediave për deklarata të palëve të treta mund të cenojë lirinë e shprehjes, përveç rasteve kur ekzistojnë arsye shumë të forta ligjore. Instituti vlerëson se përgjegjësia objektive e mediave për çdo deklaratë të të ftuarve është në kundërshtim me nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe rrezikon të kufizojë rolin e gazetarëve në debatin publik. IKD gjithashtu ka kritikuar paralajmërimet për mbylljen e emisionit “Debat Plus”, duke i cilësuar si qasje problematike që mund të kuptohet si presion ndaj mediave. Në fund, IKD i bën thirrje KPM-së që të kthehet në ushtrimin e mandatit të saj ligjor si rregullator i mediave, të respektojë standardet evropiane dhe të veprojë vetëm brenda autorizimeve kushtetuese dhe ligjore, duke shmangur çdo qasje ndëshkuese ndaj mediave.
← Më shumë lajme📰 Më shumë nga Lajme