
LVV dorëzon kallëzim penal ndaj Përparim Ramës
Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka dorëzuar sot në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës një kallëzim penal ndaj kryetarit të Prishtinës, Përpar
Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka dorëzuar sot në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës një kallëzim penal ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe zyrtarëve të lartë të kabinetit të tij, duke u bazuar në një sinjalizim anonim që sipas tyre, është pranuar të mërkurën në mbrëmje.
Asamblistja e LVV-së, Blerita Abazi tha se sinjalizimi përmban mesazhe ku pretendohet për legalizime të jashtëligjshme të objekteve dhe shuma të mëdha parash, ku përmendet edhe shefi i kabinetit të kryetarit të Prishtinës.
“Ne sot jemi këtu para Prokurorisë Speciale për të dorëzuar një kallëzim penal ndaj zyrtarëve të lartë të kabinetit të kryetarit Përprim Rama dhe vetë Përparim Ramës, për shkak të një sinjalizimi të cilin e kemi pranuar mbrëmë pasdite nga një sinjalizues anonim. Kemi pranuar një email ku kemi parë mesazhe të shumta që flasin për legalizime të jashtëligjshme dhe shuma të mëdha parash. Në këto mesazhe, personi që komunikon me një person tjetër anonim është pikërisht shefi i kabinetit të kryetarit Përparim Rama. Në këto biseda përmenden kompani ndërtimi, objekte ndërtimi dhe shuma parash, ndërsa pretendohet se këto legalizime janë tërësisht të jashtëligjshme.
Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që të nisë hetime për të verifikuar vërtetësinë e pretendimeve të paraqitura në kallëzimin penal.
“Marrë parasysh rëndësinë e këtij sinjalizimi, sot po dorëzojmë zyrtarisht kallëzimin penal dhe po kërkojmë nga Prokuroria Speciale hetim të menjëhershëm. Për ne, ky është një skandal i madh dhe është detyrë e prokurorisë që të hetojë dhe të vërtetojë nëse këto pretendime të sinjalizuesit janë të vërteta”, tha Abazi.
E pyetur nëse janë të gatshëm të mbajnë përgjegjësi në rast se pretendimet rezultojnë të pavërteta, Abazi tha se vlerësimi i tyre bazohet në sinjalizimin e pranuar dhe në situatën që, sipas saj, shihet çdo ditë në kryeqytet.“Është detyrë e Prokurorisë që ta hetojë dhe ta vërtetojë”.

Më të fundit
Të gjitha →
Katër të akuzuarit në rastin “Toka 2” dënohen me gjithsej 32 vjet burgim

Kuvendi i LDK-së me vendim përcaktoi si orientim angazhimin për shmangie të zgjedhjeve

Sunny Hill hap dyert sot, Kosova bëhet qendra e muzikës për tri ditë






