David Beckham mbërrin në momentin për të cilin ka punuar ndoshta prej vitesh. Lionel Messi, një nga lojtarët më të mirë të historisë së futbollit botëror është pjesë e skuadrës që ish-mesfushori e themeloi.
Inter Miami zyrtarizon blerjen e fituesit të 7 Topave të Artë. Kampioni i botës ka nënshkruar deri në vitin 2025 dhe pritet që t’i japë një zhvillim të panjohur më parë në Amerikën e Veriut sportit të futbollit.
Pasi ktheu mbrapsht një ofertë të paimagjinueshme nga Al Hilal ku iu premtuan 400 milionë në sezon dhe pasi mbylli gjithashtu historinë e dështuar 2-vjeçare me PSG, argjentinasi zgjodhi Florida-n dhe diellin e shtetit të Amerikës Veriore për të vijuar dhe ndoshta për të mbyllur karrierën pa shumë presion dhe i relaksuar pas një epoke të artë që kulmoi me Kupën e Botës 2022.
“Jam shumë i emocionuar që do të nis një kapitull të ri në SHBA me fanellën e Inter Miami. Kjo është një mundësi fatastike dhe bashkë do të vijojmë punën për të ndërtuar këtë projekt shumë të bukur. Jam i paduruar për të filluar nga puna dhe për të dhënë një ndihmë të madhe këtu”, tha Messi.
Messi ka fituar 4 trofe të Champions League dhe ka shënuar 672 gola në 778 ndeshje me Barcelonën ka nënshkruar një kontratë nga e cila do të përfitojë 60 milionë dollarë në sezon ku përfshihen edhe financimet që do të bëjnë kompanitë Adidas e Apple, ku kjo e fundit u bë edhe sponsori më i fuqishëm për mbërritjen e “pleshtit” në SHBA.
NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA










