Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

Zvogëlohen gjasat për zgjedhjet të parakohshme!

nga RTV21 Portal28 maj 2024
Zvogëlohen gjasat për zgjedhjet të parakohshme!

Në dy javët e ardhshme Kuvendi nuk do të mbajë seanca plenare, duke pamundësuar edhe një votim të parashikuar të njërës nga partitë opozitare për shpërndarjen e tij. Arsyet e pauzës u tha të jenë renovimet që do të bëhen brenda sallës. Partia Demokratike ndërkohë tha se kanë mbetur vetëm edhe dy ditë për të shpërndarë kuvendin në datat e propozuara prej saj për hapjen e mundësisë së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Kalkulimet e PDK-së se gjatë kësaj jave mund të mbahet seanca për shpërndarjen e Kuvendit duket se nuk do t’i dalin për shkak se Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim se për dy javët e ardhshme nuk do të ketë seancë me arsyetimin se do të ketë renovime të sallës. Përveç kësaj, pengesa kryesore po del të jetë edhe mos konsensusi i partive politike për ta çuar vendin në zgjedhje. Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se ka kohë edhe dy ditë që partitë të bëhen bashkë për ta shpërndarë Kuvendin.

“Ne nuk jemi këtu as me ble kohë as me shitë kohë. Ajo që është e rëndësishme është se dritarja kushtetuese po mbyllet. I kemi edhe dy ditë kohë. Nëse deri në ditën e enjte me 30 maj nuk shpërndahet Kuvendit atëherë ky opsion bie dhe Qeveria do ta krye mandatin deri në fund”, tha Tahiri.

LDK i quan të papranueshme, sic i vlerëson, ultimatumet e PDK-së se ka kohë edhe dy ditë për të vendosur për shpërndarjen e Kuvendit. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se vetëm përmes dorëheqjen së kryeministrit duhet që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Çka është ky afat, ultimatum a çka. Nuk është çështje afatesh dhe ultimatumesh, zgjidhja e vetme është dorëheqja e kryeministrit. Pra kryeministri e ka pru vendin në një situatë të korrupsionit galopant, kryeministri e ka pru vendin ku Kosova është nën sanksione ndërkombëtare, kryeministri ka bërë një qeverisja katastrofale dhe ai duhet të jap përgjegjësi për këtë dhe të jap dorëheqje. Nuk është Kuvendi dhe as deputetët e opozitës që e kanë pruar vendin në këtë situatë”, tha Gashi.

Siç duket darka Kurti-Krasniqi ka përçarë edhe më shumë partitë opozitare. Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, vlerëson se ishte pikërisht ajo darkë që kryeministri Kurti lansoi idenë për shpërndarje të Kuvendit për t’i mbuluar dështimet e tij në qeverisje.

“Ajo që bëri këto javë kryeministri Kurti është kjo: Ai në ditën kur u deshtë të diskutohet për anëtarësimin e Kosovës në KIE, po atë natë e lansojë idenë për shpërndarjen e parlamentit dhe shkuarjen në zgjedhje me të vetmin qëllim për ta mbytur debatin për anëtarësim. E përdori darkën për të nis negociatat e kushteve për dorëzimin e tij”, tha Tahiri.

Ndërkohë, partia në pushtet Vetëvendosje vazhdon të deklarojë se është e gatshme për zgjedhje varësisht se kur merren vesh partitë opozitare për mbajtjen e tyre.

“Qëndrimi i VV-së është i qartë. Ne jemi dakord nëse ka një pajtueshmëri të opozitës për një datë të caktuar për zgjedhje të parakohshme dhe për shpërndarjen e Kuvendit. Por, kjo kërkon pjesëmarrjen e të gjitha partive opozitare”, tha Rrustemi.

Por, a ishte dështim i partive opozitare të cilat nuk arritën të gjejnë konsensus për mënyrën e shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme?

“Unë e shoh një sukses të jashtëzakonshëm të opozitës e cila shpërfaqi fytyrën e vërtetë të dorëzimit të kryeministrit…”, tha Tahiri.

Lideri i PDK-së në fundjavën e kaluar i dërgoi ftesë partive politike për të diskutuar për zgjedhje, por shumica e tyre nuk i janë përgjigjur pozitivisht./RTV21/21Media

Spanja kundër Argjentinës: Finales botërore i dihet gjithçka
LAJMI TJETËR →
Spanja kundër Argjentinës: Finales botërore i dihet gjithçka

Më të fundit

Të gjitha →