Vrasja e rreshterit në Kaçanik, aktakuzë ndaj gjashtë personave
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave lidhur me rastin e vrasjes së zyrtarit policor në Kaçanik.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, pas zhvillimit të hetimeve dhe sigurimit të provave, aktakuza është ngritur ndaj të pandehurve me inicialet H.B., R.M., V.Ç., E.L., SH.K. dhe D.G., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.
“Më 1 prill 2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, afër vendbanimit të viktimës, të pandehurit, në bashkëkryerje me të miturin R.B., me dashje dhe përgatitje paraprake, kanë privuar nga jeta zyrtarin policor, rreshterin M.L., duke shtënë me armë zjarri. Si pasojë e plagëve të marra, viktima ka ndërruar jetë në vend, ndërsa të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes”.
Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Po ashtu, është kërkuar vazhdimi i masës së paraburgimit ndaj tyre deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor.










