Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaArt
🎨 Art

​Ulpiana Fest, ngjarja që shpërfaq qytetin e lashtë përmes teatrit dhe kulturës

nga B G31 gusht 2025
​Ulpiana Fest, ngjarja që shpërfaq qytetin e lashtë përmes teatrit dhe kulturës

Ulpiana Fest është një ngjarje kulturore e rëndësishme që zhvillohet çdo vit në këtë qytet të lashtë në Kosovë.

Ky festival dyditor ka si qëllim promovimin e kulturës dhe trashëgimisë historike të vendit, duke sjellë së bashku qytetarë dhe vizitorët Kosova dhe jashtë saj.

Arlinda Shatri, anëtare e stafit organizativ të festivalit u shpreh se çdo vit mundohen të sjellin risi për festivalin, duke pasur një theks të veçantë në pasurinë kulturore që ky qytet ofron.

“Këtë vit jemi mundu që përmes trashëgimisë kulturore ta shpërfaqim tek njerëzit Ulpianën jo vetëm si lokalitet arkeologjik, por edhe traditat tona që kanë evoluar vit pas viti. Risi këtë vit kemi edhe klubin astronomik të Kosovës ku mundemi të shohim yjet përmes teleskopëve të tyre. Po ashtu, edhe Tolinda, e cila është një vajzë që merret me veshje tradicionale dhe me trashëgiminë kulturore, ajo ka ardhur të na tregojë veshje tradicionale të saj që i ka ruajtur brez pas brezi. Mendoj që është shumë e rëndësishme që Ulpiana festivalin ta shohin njerëzit dhe të vijnë ta vizitojnë pasi besoj që kështu rritet edhe interesimi te njerëzit… është viti i tretë që po mbahet dhe besoj se edhe ne i kemi mësuar traditat e Ulpiana Festit dhe njerëzit që vijnë shumë shpesh të vizitojnë Ulpianën pas festivalit. Mendoj se vit pas viti jemi munduar të sjellim risi të reja si ushqime tradicionale me receta romake, piktoren Diella Valla e cila vjen çdo vit dhe pikturon edhe me fëmijët. Njëjtë edhe lokacionin arkeologjik që është gjithmonë i mirëpritur edhe për fëmijët që dëshirojnë të shohin se çka është arkeologjia në një ditë, të gërmojnë. Po ashtu, edhe veshjet tradicionale janë pjesë e festivalit gjithmonë, por kësaj radhe përmes Tolindës besoj se e kemi shfaqur pak më shumë gjithëpërfshirje të të gjitha trojeve shqiptare,” tha Shatri.

Studentja dhe vullnetarja e festivalit, Olisa Cekaj nënvizoi rëndësinë që organizimi po i kushton edhe aspektit edukativ të festivalit.

“Ulpiana fest veçse e ka krijuar një platformë të veten dhe ka kontribuar deri tani, që ka qenë qëllimi ynë të bëjmë një lidhje të publikut me të kaluarën historike të Kosovës dhe po ashtu një prej misioneve tona është që të krijoj një lloj ndërgjegjësimi sa i përket trashëgimisë kulturore dhe çka mund të bëjmë në të ardhmen. Besoj se është krijuar një lloj ndërgjegjësimi për trashëgiminë kulturore, njerëzit po e vlerësojnë shumë më shumë të kaluarën e tyre historike. Po ashtu, Ulpiana Fest përveç se është një vend ku njerëzit argëtohen, ajo ka krijuar edhe një bazë të fortë edukative. Ne, çdo vit, kemi krijuar kënde të reja për fëmijë në të cilat edhe ata të njihen me të kaluarën, me zejet, traditat, për të parë për nga afër si ka qenë historia, si kanë jetuar njerëzit dhe si ka qenë antikiteti. Kjo është një prej anëve pozitive të këtij festivali, i cili çdo vit tërheq shumë vizitorë dhe është duke zhvilluar trashëgiminë kulturore në Kosovë,” tha Cekaj.

Gjatë festivalit do të organizohen aktivitete të ndryshme si ekspozita artizanale, shfaqje teatrale dhe performanca tradicionale, që pasqyrojnë pasurinë kulturore dhe historike të Ulpianës dhe Kosovës.

Përveç këtyre, Ulpiana Fest iu mundëson pjesëmarrësve që të shohin copëza të historisë përmes veshjeve tradicionale, sporteve si në shigjetari dhe pikturave që shpërfaqin mozaikun e lashtësisë ilire.

Ky festival është një mundësi për vizitorët që të njoftohen me trashëgiminë romake të qytetit të Ulpianës, një ndër qytetet më të rëndësishme të periudhës romake në rajon.

Pjesëmarrësit mund të shijojnë aktivitete edukative dhe kulturore që përfshijnë muzikën dhe artin tradicional, si dhe mund të eksplorojnë historinë e qytetit përmes ekspozitave arkeologjike dhe guidave.

Ulpiana Fest ka një rëndësi të veçantë për forcimin e identitetit kulturor të rajonit dhe për zhvillimin e turizmit kulturor në Kosovë.

Festivali organizohet me ndihmën e Departamentit të Antropologjisë të Universitetit të Prishtinës. Studentët punojnë si vullnetarë në festival, duke mundësuar aftësimin e tyre profesional dhe duke shpërndarë fjalën për trashëgiminë e pasur kulturore të qytetit antik të Ulpianës./kp

ETIKETA:#Art#Lajme
El Nino ka filluar, pritet mot ekstrem i nxehtë
LAJMI TJETËR →
El Nino ka filluar, pritet mot ekstrem i nxehtë

Më të fundit

Të gjitha →