Si ndikon teknologjia tek fëmijët, bëhen me dije rreziqet dhe përfitimet
Teknologjia është bërë një pjesë e pandashme e jetës së përditshme dhe nga kjo nuk përjashtohen as fëmijët. Njohës të fushës potencojnë se ndikimi i teknologjisë tek fëmijët është i madh, ndërsa përdorimi i saj po fillon qysh në fazat e hershme të zhvillimit të tyre.
Nga kjo fazë e hershme e përdorimit të teknologjisë, mos-kontrollimi mund të sjellë pasoja negative në shumë aspekte tjera.
Kristina Halilaj, psikologe për fëmijë, thotë se edhe pse teknologjia ka elemente pozitive, megjithatë ekspozimi i tepërt ndaj saj tek mosha 0 deri në 5 vjeç mund të ngadalësojë zhvillimin kognitiv të fëmijëve. Ajo thotë se fëmijët që përdorin shumë teknologjinë kanë më pak aftësi sociale, janë më të dobët emocionalisht dhe kanë vonesa në të folur. Sipas saj edhe pse teknologjia është një trend i pashmangshëm, ndikimi i saj negativ duhet të merret parasysh.
“Teknologjia është njëri prej faktorëve që mundet me pas elemente pozitive por edhe shumë negative. Duke e pasur parasysh kohën edhe trendin që jemi duke jetu, është një element i pashmangshëm por që po ka elemente negative. Nuk mund të themi teknologjia që ka vetëm elemente negative dhe po pësojnë fëmija shumë sepse ka edhe gjera të mira që munden me marr prej teknologjisë. Por e shoh që fëmijët që janë duke e frekuentuar shumë teknologjinë. Prej moshës 0 deri në 5 vjeç, unë mendoj që po ngadalëson zhvillimin e fëmijës shumë sidomos në aspektin kognitiv. Nuk po janë shumë social, në aspektin emocional janë më të dobët, edhe në aspektin e të folurit, janë në zhvillim jo mirë. Mendoj që ndikon jo mirë, por që duke e pasur parasysh kohën që jemi nuk mundemi me heq nga trendi por me pas parasysh që po ndikon negativisht”, thekson Halilaj.
Ndërsa sociologia Dhurata Prokshi, thotë se teknologjia mund të ketë ndikime pozitive tek moshat e reja, por megjithatë kur përdoret pa kontroll dhe pa mbikëqyrjen e prindërve rreziku për efekte negative rritet ndjeshëm. Ajo thotë se përdorimi i gjatë i pajisjeve digjitale dhe përmbajtjet e papërshtatshme për moshën e fëmijëve mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e tyre.
“Teknologjia te fëmijët mund të ketë ndikime pozitive, por fakti që në moshë të hershme përdoret pa kontroll, pa mbikëqyrjen e prindërve rreziku edhe predispozitat më të mëdha janë që të kenë efekte negative, shto këtu edhe masën ose kohën e gjatë që kalohet duke qenë të ekspozuar përball aparateve të ndryshme të digjitalizimit në kuptimin e rrjeteve sociale por edhe lojërave të cilat i shohin po edhe përmbajtjet të cilat gjinden aty nuk përkojnë në të shumtën e rasteve me zhvillimin dhe me moshën që e kanë”, potencon Prokshi.
Ndërsa qytetari Fatgzim Latifi, thotë se përdorimi i teknologjisë nga fëmijët duhet me qenë me orar dhe i kontrolluar nga prindi. Tutje Latifi theksoi se përdorimi i tepërt mund të ketë ndikime negative në pjesën emocionale por edhe në aspektin shëndetësor.
“Përdorimi duhet me qenë me orar. Tash u bo e përgjithshme te të rriturit e të vegjlit. Por përdorimi i këtyre rrjeteve sociale duhet me qenë e kontrolluar nga prindi me një orar të caktuar tek moshat e të vegjëlve tanë. Se përveç që ndikojnë në pjesën emocionale të tyre ndikojnë edhe në aspektin shëndetësor”, tha ai.
Një tjetër qytetare Kaltrina Hasani, thotë se nëse fëmijët kontrollohen në përdorimin e teknologjisë, ka edhe gjera shumë të bukura që mund të përfitojnë fëmijët nga përdorimi i saj. Hasani merr shembull vajzën e saj që nga teknologjia ka arritur që ta mësoj gjuhën angleze.
“Nëse ti mbërrin me kontrollu fëmijën, edhe me ja limitu ato senet që nuk donë me i pa, normalisht që merr sene të mira, qe një veti e mirë e përdorimit të teknologjisë është që e ka mësu anglishten pa shku në kurs. Kështu kur din me kontrollu fëmijën, i ka senet ma të mira që mundesh me i marrë”, potencoi Hasani.
Në këtë periudhë kohore thuhet se teknologjia ka ndikim të madh në zhvillimin e hershëm të fëmijëve, duke ofruar si përfitime ashtu edhe sfida me të cilat do të përballen në të ardhmen.
Derisa përdorimi i pakontrolluar dhe i tepërt është thënë se mund të ketë pasoja negative në shumë aspekte tjera si në zhvillimin emocional, kognitiv dhe social të tyre./kp











