Kërkimi Counterpoint parashikon që linja iPhone 17 e Apple do ta ndihmojë kompaninë të largojë Samsung-un nga vendi i parë si prodhuesi më i madh i telefonave në botë këtë vit, raporton CNBC dhe Bloomberg, sipas The Verge.
Raporti vlerëson se Apple do të dërgojë 243 milionë telefona këtë vit, ndërsa Samsung 235 milionë, duke i siguruar Apple-it 19.4 për qind të tregut global të smartphone-ve, më pak se 1 për qind përpara Samsung-ut, raporton KosovaPress.
Counterpoint thotë se seria e sapo-prezantuar iPhone 17 ka arritur 12 për qind më shumë shitje në katër javët e para krahasuar me linjën iPhone 16, me shitje të nxitura nga ndikimi “më i ulët se sa pritej” i tarifave.
Analistë të ndryshëm kanë raportuar statistika të ndryshme rreth liderit në dërgesat e telefonave gjatë viteve të fundit, por sipas vlerësimit të Counterpoint, kjo do të jetë hera e parë pas 14 vjetësh që Apple e kalon Samsung-un në dërgesat e telefonave. Bazuar në raport, duket se raportimet për një pritje të vakët të iPhone Air dhe pyetjet e vazhdueshme për përparimin e Apple në teknologjinë e inteligjencës artificiale nuk e kanë penguar performancën e përgjithshme të linjës iPhone 17.
Vitin e ardhshëm, pritet që Apple të lëshojë një model më të lirë “17e” në pranverë dhe, më vonë, iPhone-in e tij të parë të palosshëm.










