Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

Rinis verifikimi i votave në Mitrovicën e Jugut

nga Gentrita Xhemajli11 nëntor 2025
Rinis verifikimi i votave në Mitrovicën e Jugut

(Lajm i përditësuar)


Nis procesi i rinumërimit në Mitrovicë

Në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë të Jugut ka nisë procesi i rinumërimit të votave, raporton KosovaPress.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë fillimisht bëri të ditur se ka urdhëruar rifillimin e numërimit të votave në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë, pasi e ndërpreu atë nën dyshimet për manipulim.

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që Mitrovica e Jugut të shkojë në rivotim, dy ditë pas përfundimit të balotazhit në këtë komunë. Në PDK thanë të martën se në Mitrovicë të Jugut është përdorur fenomeni i “trenit bullgar” dhe kësisoj është dëmtuar rëndë integriteti i procesit zgjedhor.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda, tha të martën se në Mitrovicë të Jugut ka pasur bartje të fletëvotimeve nga një qendër votimi në një qendër tjetër. Sipas tij, kjo nuk ka guxuar të ndodhë, sepse bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet dhe me rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Dje, komisionerët e PDK-së, gjatë procesit të numërimit kanë vërejtur parregullsi si fletëvotime me një numër serik të caktuar, që u takonin një klase votimi, janë gjetur në klasë tjetër, madje edhe në qendra të tjera votimi, prandaj ata kanë alarmuar menjëherë organet e rendit dhe drejtësisë dhe tashmë procesi i numërimit është ndalur.

Pas një urdhri nga Prokuroria, sot komisionerët kishin ndërprerë punën pasi janë vërejtur dallime në numrat serikë të disa fletëvotimeve.

Fillimisht është dyshuar për gabime teknike, por janë ngritur edhe pretendime për manipulim të qëllimshëm.


Rifillon procesi i verifikimit të rezultateve në Mitrovicë, Elezi jep detajet

Procesi i verifikimit të rezultateve në qytetin e Mitrovicës së Jugut ka rifilluar pak më parë, më saktësisht në orën 16:20.

Këtë për portalin rtv21.tv e konfirmuar, zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.

Elezi ka bërë të ditur po ashtu se procesi në fjalë është duke u zhvilluar në 10 tavolina numërimi.

‘‘Në orën 16:20 ka filluar procesi i verifikimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve në Qendrën Komunale të Mitrovicës e Jugut. Procesi po zhvillohet në 10 tavolina numërimi’’, ka thënë ai.


Ende nuk ka nis procesi i rinumërimit në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë

Në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë të Jugut ende nuk ka nis procesi i rinumrimit, përkundër faktit që u tha nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve se ky proces do të nis në orën 16:00.

Aty janë parë komisionerët e PDK-së, si dhe anëtari I KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, raporton KosovaPress.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë njoftoi se ka urdhëruar Komisionin Komunal Zgjedhor që të rifillojë procesin e numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale në komunën e Mitrovicës së Jugut.

Kjo pasi kompania CETIS mbi printimin e fletëvotimeve për zgjedhjet komunale në Kosovë, përmes një njoftimi ka shpjeguar se problemi i numërimit ndodhi ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë, përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit, dhe se marrin përgjegjësi për këtë gabim, sipas të cilës në rrethana normale do të ishte pothuajse i pamundur të ndodhte.

Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës
LAJMI TJETËR →
Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës

Më të fundit

Të gjitha →