Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

Prokuroria Speciale dhe Qeveria nuk merren vesh për dëshminë e Kurtit

nga Venera Grabanica26 dhjetor 2024
Prokuroria Speciale dhe Qeveria nuk merren vesh për dëshminë e Kurtit

Kryeministri Albin Kurti ka vazhduar avazin e ditëve të kaluara duke refuzuar që të japë përgjigje nëse do t’i përgjigjet ftesës së dytë të Prokurorisë Speciale për të dhënë dëshminë e tij në një rast penal që ka të bëjë me rezervat shtetërore. Derisa prokurorët e rastit janë në pritje të dëshmisë së tij, kryeministri tha se do të shkojë për përurime të rrugëve në Dragash e Malishevë.

Qeveria ka insistuar se prokurorët e Prokurorisë Speciale duhet të shkojnë në zyrën e kryeministrit për ta marr dëshminë e tij. Në një përgjigje të zëdhënësit të Qeverisë në fund të javës që shkoi thuhet se janë në pritje të një përgjigje nga Prokuroria ndaj kërkesës së tyre.

“Presim një përgjigje pozitive meqë sipas praktikës kjo nuk do të ishte hera e parë që një kryeministër intervistohet brenda zyrës së tij, dhe i mirëpresim në kryeministri’’, tha Kryeziu.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale nuk i është përgjigjur pyetjeve të televizionit nëse do t’i përgjigjen kërkesës së Qeverisë që prokurorët të shkojnë në objektin e Qeverisë për intervistim.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, konsideron se kryeministri Kurti është duke e shfrytëzuar brishtësinë e sistemit prokurorial të Kosovës dhe mungesën e guximit të prokurorëve të Prokurorisë Speciale të cilët, siç tha, nuk janë në gjendje që të ushtrojnë kompetencat dhe përgjegjësitë që ua ofron kodi i procedurës penale.

‘’Nëse çdo palë në procedurë edhe dëshmitarët refuzojnë që tiu përgjigjen ftesave sistemit prokurorial është një vepër penale për pengimin në administrimin e drejtësisë. Nëse prokurorët e vlerësojnë se kryeministri Kurti është duke e penguar administrimin e rastit penal që kanë nën hetim atëherë mund të merren pasa tjera për vepër penale”, tha Miftaraj.

Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, tregon edhe rrethanat se në cilat raste prokurorët mund të shkojnë tek adresa e dëshmitarit.

‘’Këto janë rastet kur dëshmitari është i sëmurë apo në gjendje të palëvizshme. Unë besoj se kryeministri as nuk është i sëmurë dhe as nuk është i palëvizshëm”, tha Miftaraj.

Partitë opozitare refuzimin e kryeministrit Kurit për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale e quajnë praktikë të keqe ndaj sistemit të drejtësisë që, sic thonë, përçon mesazh të keq tek qytetarët. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha se kryeministri po e përdor ftesën e Prokurorisë për parafushatë zgjedhore.

‘’Është e paprecendan që një rast i tillë të ndodh që në thirrjen e Prokurorisë të mos kemi përgjigje nga kryeministri. Unë e kuptoj që është fazë e herdhme e zgjedhjeve, por unë nuk konsideroj se përplasjet e tilla ndërmjet Prokurorisë dhe Qeverisë mund të shërbejnë si shembuj të mirë për qytetarët”, tha Deliu.

Avokati, Ardian Bajraktari, përmendi disa prej pasojave ligjore që mund të ketë kryeministri Kurti nëse vazhdon të mos i përgjigjet ftesës së Prokurorisë për dëshmi. Sipas tij, nga obligimet ligjore për të dhënë dëshmi në prokurori nuk përjashtohet as kryeministri.

‘’Prandaj në referencë të nënit 132 të kodit të procedurës penale në rast se dëshmitari i ftuar me rregull nuk paraqitet dhe nuk e arsyeton mos prezencën e tij ai mund të jetë subjekt i ndëshkimit me gjobë fillimisht dhe në rast se këtë do të vazhdoj ta bëjë edhe në rast të shqiptimit të gjobës atëherë ai mund të paraburgoset prej një muaji”, tha Bajraktari.

Kryeministri Albin Kurti është i ftuar nga Prokuroria Speciale për të dhënë dëshmi në lidhje me dyshimet për rezervat shtetërore. Për këtë vepër penale ishte marrë në pyetje nga prokurorët ministrja e Tregtisë Rozeta Hajdari, po ashtu ishte bastisë ministria që ajo drejton  dhe ishin arrestuar disa zyrtarë të kësaj ministrie./RTV21/21Media

Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës
LAJMI TJETËR →
Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës

Më të fundit

Të gjitha →