Policia në Ferizaj apelon tek shoferët të kenë kujdes për shkak të paraqitjes së mjegullës.
Përmes një njoftimi për media, Policia e Kosovës rekomandon të ketë kujdes në ngasje dhe të përdoren dritat e mjegullës për evidentimin e rrezikut.
“Në rajonin e Ferizajt ka filluar shfaqja/prezenca e mjegullës në disa vende ku pozita gjeografike është më e ulët. Apelojmë tek shoferët e automjeteve që të bëjnë kujdes gjatë drejtimit në mot me mjegull. Rekomandojmë që: – Mos harroni se ngasja në mjegull mund të jetë e rrezikshme! – Mbani në vëzhgim rrugën për ndryshime të papritura të dukshmërisë, mjegulla më e dendur mund të jetë më afër lumenjve. – Përdorni dritat e mjegullës.”, thuhet në njoftim.
“Nëse automjeti juaj i ka këto drita, kjo ju ndihmon të ndriçohet rruga para jush dhe këto drita e bëjnë automjetin tuaj më të dukshëm për shoferët tjerë. Disa automjete kanë edhe dritat e pasme të mjegullës, të cilat ndihmojnë shoferët që lëvizin mbrapa t’ju shohin juve edhe nga një distancë më e madhe. – Mjegulla mund të krijojë një iluzion optik dhe t’i bëjë shoferët të mendojnë se po shkojnë më ngadalë seç janë. – Mbani vëmendjen, mos shpejtoni! – Ndizni dritat gjatë ngasjes, por mos ndizni dritat me rreze të gjatë! Ngasja e automjetit me drita të gjata mund të reflektojë jashtë mjegullës dhe mund të kthehet në automjetin tuaj, e cila gjithashtu e bën të pamundur që shoferët tjerë t’ju shohin. – Mbani ndezur dritat e shkurtra dhe të mjegullës! – Mbani nën kontroll shpejtësinë e lëvizjes! – Mbani krahun e djathtë të rrugës gjatë lëvizjes!”, thuhet në njoftim. /21Media











