Pendarovski: Mirë që Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria janë anëtarë të NATO-s, që të parandalohet konfrontimi ndërmjet ushtrisë së Kosovës dhe Serbisë
Prania e pesë mijë ushtarëve të NATO-s në Kosovë është garanci se kriza nuk do të përhapet në rajon. Është mirë që Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria janë anëtarë të NATO-s, në mënyrë që të parandalohet një konfrontim i drejtpërdrejtë ndërmjet ushtrisë së Kosovës dhe Serbisë, deklaroi presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.
Në pyetjen nëse do të kandidohet për mandatin e dytë, Pendarovski tha se kjo do të varet nga vlerësimi pozitiv i qytetarëve për angazhimin e tij të deritanishëm si komandant suprem i forcave të armatosura dhe president i shtetit.
“Angazhimi im i mëtejshëm në politikë do të varet vetëm nga një gjë. Jo nëse kam dëshirë të jem në këtë post apo në një tjetër, por vetëm nëse mandati im i deritanishëm dhe deri në fund të vitit, i gjithë mandati pesëvjeçar do të vlerësohet pozitivisht nga qytetarët. Nëse qytetarët nuk kanë mendim pozitiv në përqindje të mirë për atë që kam bërë në katër e gjysmë deri në pesë vjet, atëherë sigurisht që nuk do të më shihni në politikë”, shtoi Pendarovski në intervistën për Radion maqedonase.









