PDK mobilizohet për fitore në balotazh në gjashtë komuna më 9 nëntor
Partia Demokratike e Kosovës e ka vlerësuar rezultatin zgjedhor më 12 tetor si një konfirmim të rritjes së mbështetjes qytetare për këtë parti, duke fituar tri komuna pa balotazh dhe duke kërkuar fitore në raundin e dytë në gjashtë të tjera.
Në këtë garë, PDK ka fituar në Ferizaj, Skenderaj dhe Han të Elezit që në raundin e parë, ndërsa Prizren, Mitrovicë, Vushtrri, Kaçanik, Klinë dhe Dragash ka siguruar pjesëmarrje në balotazh.
Memli Krasniqi, kryetar, tha në një konferencë për media se PDK ka rritje të ndjeshme të votës krahasuar me zgjedhjet lokale 2021, duke theksuar se ka marrë mbi 180 mijë vota si subjekt politik dhe mbi 200 mijë vota për kandidatët e saj për kryetarë komunash.
Po ashtu, rezultati në Prishtinë është konsideruar nga partia si kthim në një pozitë të rëndësishme politike pas më shumë se dy dekadash në kryeqytet.
“Të dielën kemi marrë mbi 180 mijë vota si parti dhe jemi partia e vetme me rritje të votës popullore në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021, por kemi edhe mbi 200 mijë vota për kandidatët tonë për kryetarë që vërtetë tregon për mbështetjen e madhe të qytetarëve të Kosovës për kandidatët tonë gjithandej vendit. Siç e dini, tashmë në tri komuna, në Ferizaj, Skenderaj dhe Han të Elezit kemi fituar pa balotazh dhe bindshëm ndërkaq në gjashtë të tjera, Prizren, Mitrovicë, Vushtrri, Kaçanik, Klinë dhe Dragash garojmë për fitore në raundin e dytë. Po ashtu edhe në Prishtinë, pas më shumë se dy dekadave jemi kthyer në një forcë kryesore politike, kemi marrë rreth 29 mijë vota për kandidatin tonë për kryetar, mbi 10 mijë më shumë se para katër vitesh, ndërsa kemi dalë forca e dytë më e madhe politike në një garë të pabarabartë kundër kandidatëve të nivelit qendror dhe të nivelit lokal. Kjo pra është një fitore që dëshmon rritje, organizim dhe besim dhe tani ne do të fokusohemi te balotazhi, ta përfundojmë punën me dinjitet dhe me fitore në gjashtë komunat ku garojmë”, tha ai.
Rezultati zgjedhor, sipas PDK-së, është vlerësuar si arritje kolektive e strukturave të saj në të gjithë vendin.











