Osmani mesazhe Brukselit: Pa SHBA-në dialogu është më i dobët
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë. Në fjalimin e saj, presidentja foli për aleancën e përhershme me SHBA-në, për dialogun me Serbinë e për një sërë temash tjera. Gjatë këtij qëndrimi në Antalia, ajo ka takuar edhe presidentin turk dhe atë sirian.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqia janë dy aleatët që kanë ndihmuar shumë Kosovën ndër vite. Kështu tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë, me temë “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”.
“Ne jemi një shembull i mirë që u rrit nga zero, nga hiri, disa gjëra që ishin tërësisht të rrënuara për toke për shkak të diktatorit, për shkak të regjimit dhe gjenocidit por përsëri kombi ynë është një shembull i asaj se si bota u bashkua dhe nuk i mbylli sytë para vuajtjeve dhe represionit të popullit që po vuanin me shekuj të tërë”, tha Vjosa Osmani, presidente e Kosovës .











