Osmani: Biden rikonfirmoi që dialogu e ka një epilog dhe është njohja reciproke
(Lajm i përditësuar)
Krasniqi rikthen Deklaratën e Pavarësisë në Kuvend: Historia e Kosovës e lidhur ngusht me emrin e Hashim Thaçit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në seancën solemne të përvjetorit të 15-të të Pavarësisë së Kosovës, ka rikthyer Deklaratën e shpalljes së Pavarësisë që ish-kryeministri Hashim Thaçi e lexoi më 17 shkurt 2008.
“Më lejoni, që duke ndjerë rrahjen e zemrave të stërgjyshërve tanë, unë me nderin dhe privilegjin më të madh, do të lexoj Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate, shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”, deklari Krasniqi.
Kreu i PDK-së tha se historia e Kosovës moderne është e lidhur me emrat e çlirimtarëve që gjenden në Hagë për të mbrojtur të vërtetën e luftës së UÇK-së, e veçmas me ish-Kryeministrin dhe ish-Presidentin Hashim Thaçi.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e bashkëluftëtarë të tjerë, sot janë larg nesh, duke e zhvilluar betejën e fundit, për të vërtetën e luftës sonë për liri. Do të duhej të ishin në këtë sallë bashkë me ne, në një rast solemn si ky që përkujton një ngjarje kaq madhore, protagonistë të së cilës ishin pikërisht ata vetë. E ndonëse ata nuk janë me ne fizikisht, vazhdojnë të mbesin në zemrat e qytetarëve të Kosovës. Dhe duke besuar fuqishëm në drejtësi, nuk kemi as mëdyshje se do të rikthehen si fitimtarë, ashtu siç erdhën dikur, si çlirimtarë. Historia e Kosovës moderne, është e lidhur me emrat e tyre, dhe veçmas me ish-Kryeministrin dhe ish-Presidentin Hashim Thaçi, pa emrin e të cilit, 17 shkurti 2008 si datë dhe shpallja e pavarësisë si ngjarje, nuk mund të kuptohen as si të plota, e as si të sakta”, shtoi Krasniqi.
Kurti: Republika e Kosovës erdhi nga gjaku i dëshmorëve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se shpallja e Pavarësisë së Kosovës është rezultat i përpjekjeve dhe sakrificave të popullit shqiptar.
“Sikur sot 15 vite më parë në po këtë sallë 109 përfaqësues të zgjedhur nga populli i Kosovës hodhën firmat e tyre për Pavarësinë e Kosovës. Kontinetit të Evropës ju shtua edhe një shtet i ri, kurse botë perëndimore ju shtua edhe një vend ku vlerat demokratike janë thelbi i çdo kursi shoqëror”, ka thënë Kurti.
“Republika e Kosovës erdhi nga gjaku i dëshmorëve dhe martirëve të rënë dhe secilës jetë të dhënë për lirinë e vendit” ka thënë Kurti.
“Si mund t’i përmendim sot të gjithë ata që nuk ua dimë emrat, është fjala popull që tregon të gjithë ata” ka thënë ai.
Konjufca: Nuk do ta harrojmë gjenocidin që e bëri Serbia mbi qytetarët tanë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se në 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës përkulemi para dëshmorëve që nuk kursyen jetën e tyre për liri.
“Nuk i harrojmë të pagjeturit që na mungojnë, gratë dhe burrat që u dhunuan e torturuan, nuk i harrojmë të gjithë ata që mbajtën për lirinë tonë vite burgje. I përkulemi popullit tonë për qëndresën shekullore që na frymëzon secilin nga ne. Ne nuk harrojmë, mirënjohje për të gjithë miqtë tanë, gjithçka që arritëm nuk do të kishte qenë e mundshme pa ndihmën e tyre. Por kur nuk do ta harrojmë gjenocidin që e bëri Serbia mbi qytetarët tanë. Ne jemi shtet i ti por rrënjët i kemi të moqme, këto rrënjë na mbajtën të bashkuar fortë”, ka thënë Konjufca.
Osmani: Biden rikonfirmoi që dialogu e ka një epilog dhe është njohja reciproke
Në shënimit e përvjetorit të pavarësisë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se në ditën e sotme kujtohet sakrifica e qëndresës së brezave shqiptar. Gjatë fjalimit të saj në Kuvendin e Kosovës, në shënimin e 15 vjetorit të Pavarësisë, Osmani ka thënë se institucionet e Kosovës po forcohen dita ditës.
“Procesi i dialogut me Serbinë e ka një epilog, epilog që e rikonfirmoi presidenti Biden në letrën e tij drejtuar mua dje, ajo është njohja reciproke”, ka thënë presidentja e vendit, Vjosa Osmani ne fjalimin e saj në Kuvend.
“Duke bartur në kujtesë këtë akt sublim më lejoni ta përgëzoj secilin qytetar për kontributin në ndërtimin e shtetit tonë të përbashkët. Të kujtojmë sakrificën dhe qëndresën e brezave. Të kujtojmë presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugovën, ti kujtojmë bijtë e bijat tona të cilët sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të vendit, komandantin historik Adem Jashari.
Sot rikujtojmë dhe falënderojmë miqtë tanë, aleatët tanë që i kemi quajtur me të drejtë shpëtimtarë e miq të lirisë”, ka thënë Osmani.
“Në këto 15 vjet Kosova është zhvilluar e forcuar si shtet i ri, ka dëshmua kulturë demokratike në funksionimin e institucioneve. Institucionet tona po forcohen dita ditës e kjo është e arritur e madhe e qytetarëve tanë. Sfidat na kanë bërë të përplasemi së brendshmi ngase pikëpamjet kanë qe ë të ndryshme por gjithsesi na kanë bërë më të fortë. Ne nuk e duhet të lejojmë që shoqëria jonë të polarizohet karshi sfidave të tilla, në përballje me Serbinë duhet dhe jemi një. Forcimi i mëtejmë i shtetit të Kosovës është mision i gjithsecilit”, ka shtuar presidentja Osmani.
11:42- Ganimete Musliu vendos emblemën e UÇK-së në foltoren e Kuvendit

Me intonimin e himnit të Kosovës ka nisur seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, e cila po mbahet për nder të 17 Shkurtit.
Në këtë seancë po marrin pjesë edhe presidentja, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Por para fillimit të seancës solemne për të shënuar përvjetorin e Pavarësisë, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka vendosur emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në foltoren e Kuvendit.











