Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

Opozita me qëndrime të ndara për marrëveshjet ndërkombëtare

nga Venera Grabanica2 maj 2024
Opozita me qëndrime të ndara për marrëveshjet ndërkombëtare

(Lajm i përditësuar)


Opozita me qëndrime të ndara për marrëveshjet ndërkombëtare

Deputetët e tri partive opozitare në Kuvend kanë dalë me qëndrime të kundërta për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Derisa Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës janë shprehur kundër votimit të këtyre marrëveshjeve, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se do të votojë pro.

Deputeti i AAK-së Pal Lekaj ka thënë se kjo parti do të mbështesë marrëveshjet ndërkombëtare nëse ka kuorum. Por i të njëjtit mendim nuk janë dy partitë tjera opozitare. Armend Zemaj nga LDK-ja paralajmëroi se nuk do të mbështesin asnjë marrëveshje e cila mund të jetë kamuflim i paaftësisë dhe mbulim i keqmenaxhimit të qeverisë në pushtet, por ai theksoi që marrëveshjet e mira do të jenë gjithmonë në përkrahje të tyre. Mendim të ngjashëm por më të ashpër pati edhe Blerta Deliu-Kodra, e cila në mënyrë kategorike theksoi se nuk do të votojnë asnjë marrëveshje derisa Kosova gjendet në sanksione të BE-së, duke shtuar se PDK kërkon zgjedhje dhe deri atëherë nuk do të votojë asgjë.


Haxhiu e quan opozitën palaço: S’keni kauzë, as plan, kjo është fatkeqësi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se opozita nuk ka kauzë e as plan, për çka i ka quajtur palaço. Për këtë reaguan opozita, por edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Sarandaj Bogujevci, e cila kërkoi nga Haxhiu që të ketë kujdes me gjuhën parlamentare.

Kështu u shpreh ministrja Haxhiu në seancën e sotme plenare ku po diskutohet për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Nuk kemi nevojë për leksione prej juve, përveç se me ju thënë që jeni opozita pa kauzë, jeni opozitë pa plan, fatkeqësisht për ne si qeveri që ta kemi një opozitë pa kauzë, pa plan, pa strategji dhe e cila çka t’i del gjatë ditës diçka e bën temë në Kuvendin e Kosovës. Ju kështu jeni, kjo është fatkeqësi për neve, sepse ne kishim dashur një qeveri tjetër, jo kështu si palaço”, tha ajo.

Ministrja Haxhiu kërkoi nga deputetët të kenë kujdes për gjuhen parlamentare.

Ajo i ka replikuar shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili bëri thirrje që vendi të shkojë në zgjedhje.


Murati: Më 2019 fjala ‘korrupsion’ u përmend 24 herë, më 2023 12 herë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2023 fjala ‘korrupsion’ përmendet 12 herë, ndërsa në vitin 2019 është përmendur 24 herë.

Murati ka thënë se edhe raportuesi i DASH-it ka rënë pre e dezinformatave të mediave dhe OJQ-ve.

“Tema që është thirrur sot është diskutimi për raportin e DASH-it. Nëse do të duhej t’i qaseshim kësaj çështjeje në mënyrë kuantitative dhe objektive, mund ta shohim sa herë është përmendur më 2023 fjala ‘korrupsion’. Një kërkim i thjeshtë tregon që është përmendur 12 herë. Më 2019 është përmendur 24 herë. Nëse hymë edhe në cilësi pastaj e i analizojmë fjalitë e shohim që në disa raste edhe raportuesi ka rënë pre e dezinformatave të mediave e OJQ-ve që maskohen si të tilla… deputetja Deliu-Kodra tha se pesë ministra janë nën hetime për korrupsion”, ka thënë Murati.


Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri deklaroi se Kuvendi sa më parë duhet të shpërndahet. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, siç shtoi ai, tregon për regresin që ka shënuar Kosova. Sipas këtij raporti, po ashtu ai tha se 1/3 e ministrave të pushtetit aktual janë nën hetime dhe të përfshirë në afera korruptive.

Deputeti Tahiri tha se Kosova u godit nga dy raporte për gjendjen në Kosovë. Në seancë plenare, ai kërkoi që të trajtohen të gjitha të gjeturat e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh) dhe atë të “Freedom House”.

Në seancë plenare, ai shtoi se raporti thekson edhe numrin e madh të ministrave që janë nën hetime. Tahiri tha se vendi sa më parë duhet të shkojë në zgjedhje.

Ky kuvend duhet të mblidhet sa më parë edhe të diskutojë për datën e zgjedhjeve. Sepse, ky kuvend është shndërruar në barrierë për t’i mbrojtur të korruptuarit në vendin tonë”, tha ai.

Sipas tij, asnjëherë nuk ka pasur rezistencë më të madhe në parlament për themelimin e komisioneve hetimore për afera korruptive.

Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës
LAJMI TJETËR →
Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës

Më të fundit

Të gjitha →