Sulmuesi zviceran, Dan Ndoye, është transferuar te Nottingham Forest pas një sezoni të shkëlqyer në Serie A. Klubi anglez ia doli ta fitojë garën për shërbimet e tij përballë interesimit të madh nga Napoli.
Ndoye tashmë është zyrtarisht lojtar i Nottingham Forest. Klubi anglez, që kohët e fundit kishte kaluar në avantazh ndaj Napolit me një ofertë prej 40 milionë eurosh drejtuar Bolognës, ka arritur marrëveshjen përfundimtare.
Forest e ka prezantuar 24-vjeçarin me një kontratë pesëvjeçare, ndërsa lajmi u bë i ditur përmes kanaleve zyrtare në rrjetet sociale.
“Jam shumë i lumtur që u bashkova me Nottinghamin,” u shpreh Ndoye, i cili realizoi golin vendimtar në finalen e Kupës së Italisë sezonin e kaluar.
“Është një moment shumë emocionues për klubin dhe menjëherë e ndjeva se dua të jem pjesë e këtij projekti. Është një skuadër me shumë ambicie dhe me një histori të mrekullueshme. Mezi po pres të nis aventurën time këtu,” shtoi ai.










