Nagip Krasniqi reagon ndaj raportimeve se është i përfshirë në një video me përmbajtje eksplicite me një vajzë të mitur
Ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi ka reaguar pas publikimit të një video-incizimi të raportuar në një medium në Kosovë.
Në këtë video, Krasniqi pretendohet se ka pasur biseda me përmbajtje të papërshtatshme me një vajzë të mitur.
Në një deklaratë publike, Krasniqi mohoi kategorikisht akuzat dhe i cilësoi ato si fabrikime dhe tentime për shantazh ndaj tij.
Ai ka pretenduar se kjo video ka rrjedhur nga Prokuroria Speciale e Policia e Kosovës.
“Paraprakisht nga burime të afërta me Prokurorë të Prokurorisë Speciale, më pas nga policë hetues, prej më shumë se 1 apo 2 muajve nga zytarë të partive opozitare dhe prej një kohe të gjatë prej pronarëve të disa portaleve është duke u apostrofuar emri im. Para tre ditësh njëri prej tyre veçse e paraqiti një rrëfim për “videon” intime të “një zyrtari të lartë”. Të njëjtët me paramendim e kanë shtuar përgjatë kohës edhe termin “minorene” apo “e mitur”. Të dashur miq, shokë e ish-kolegë, E kanë fjalën për mua”, ka shkruar Krasniqi.









