Macron-Vuçiqit: Franca dënon çdo veprim të njëanshëm që dëmton dialogun Kosovë-Serbi
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se ka folur me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për dialogun Kosovë-Serbi.
Në një postim në rrjetin social X, Macron ka thënë se ka ritheksuar “rëndësinë e dialogut me Kosovën dhe dënimin e Francës për çdo veprim të njëanshëm që mund ta dëmtojë këtë proces”.
“I përsërita atij bindjen time se e ardhmja e Serbisë është evropiane dhe shpresën që ajo të mund të ecë përpara, në një frymë dialogu, në rrugën e reformave dhe të anëtarësimit. Rivlerësuam marrëdhëniet mes Serbisë dhe Francës dhe vendosëm t’i forcojmë më tej bashkëpunimet tona. Diskutuam gjithashtu gjerësisht për situatën në rajon. Ritheksova rëndësinë e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës dhe dënimin tonë për çdo veprim të njëanshëm që mund ta dëmtojë atë”, thuhet në postim.
Macron thotë ta ketë theksuar edhe rëndësinë që Franca i kushton stabilitetit, unitetit dhe sovranitetit të Bosnje-Hercegovinës, si dhe respektimit të sundimit të ligjit.











