Lista Serbe kundër hapjes së urës kryesore në Mitrovicë, kërkon reagimin e BE
Lista Serbe, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka kundërshtuar paralajmërimet e kryeministrit Albin Kurti për hapjen e urës kryesore të qytetit në Mitrovicë, duke thënë se është “i panevojshëm, i papranueshëm dhe synon destabilizim.”
Sipas Listës Serbe, fluksi i trafikut nga jugu në pjesën veriore të qytetit është normal në katër drejtime dhe “nuk është nevojë për hapjen e urës”.
Lista Serbe i bën thirrje KFOR-it, EULEX-it dhe BE-së që të mos e lejojnë kryeministrin Kurti “në shkaktimin e një krize tjetër”.
“Hapja e urës nuk mund të kryhet pa pëlqimin e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës, sidomos në Mitrovicë”, thuhet në reagim.
Në të njëjtën kohë, kjo do të ishte një lëvizje tjetër e njëanshme që asnjë serb në veri të Mitrovicës dhe Kosovës nuk do ta mbështeste, kështu “do të nxehte edhe më tej tensionet”, sipas Listës Serbe.











