Kurti: Shprehim shqetësimin e thellë për krizën humanitare në Gazë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka shprehur shqetësimin për krizën humanitare në Gazë. Ai tha se Kosova i dënon “sulmet që rezultojnë me vdekje dhe lëndim të civilëve”.
Këto deklarime ai i bëri në adresimin para kabinetit qeveritar, ku theksoi se fëmijët po përballen me pasoja të rënda.
“Më lejoni që të shprehim shqetësimin e thellë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për krizën humanitare në Gaza. Sikurse kemi bërë edhe në të kaluarën, ne i dënojmë sulmet që rezultojnë me vdekje dhe lëndim të civilëve, veçanërisht të fëmijëve, të cilët po përballen me pasoja të rënda pavarësisht faktit që nuk kanë asnjë përgjegjësi mbi konfliktin dhe situatën. Qeveria jonë tashmë ka ndarë gjysmë milioni euro nga buxheti i saj si mbështetje për popullin palestinez në Gaza. Ne e mbështesim çdo përpjekje të partnerëve tanë për të arritur një armëpushim menjëherë që do të krijonte mundësinë për dërgimin e rregullt dhe të mjaftueshëm të ndihmave, lirimin e pengjeve dhe arritjen e një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme midis Izraelit dhe palestinezëve”, u shpreh Kurti.
Qeveria e Kosovës në janar të këtij viti kishte marrë vendim që të ndajë 500 mijë euro për ndihma humanitare në Gazë.











