Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sërish ka refuzuar të përgjigjet pyetjeve të gazetarëve lidhur me dështimet e njëpasnjëshme të seancës konstituive për legjislaturën e nëntë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti u pyet nëse do ta pranonte ftesën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani lidhur me një takim të mundshëm me liderët e partive politike për gjetjen e një zgjidhje të ngërçit në Kuvendin e Kosovës.
Kurti u pyet nga gazetarët pas homazheve që bëri me rastin e 27-vjetorit të rënies së heroit Ilir Konushevci dhe dëshmorit Hazir Malaj, në varrezat e Velanisë në kryeqytet, raporton KosovaPress.
Sot, për herë të trembëdhjetë ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Edhe sot Lëvizja Vetëvendosje insistoi që të formohet komisioni ad-Hoc për votim të fshehtë, por përsëri nuk mori mbështetjen e PDK-së, LDK-së, AAK-së, Nismës.
E në mungesë të kuorumit vazhdimi i seancës së sotme u ndërpre për të vazhduar më 11 maj nga ora 10:00.
Qysh në nisje të vazhdimit të seancës, kryesuesi, Avni Dehari kërkoi nga partitë politike që të propozojnë kandidatët për formim të komisionit për votim të fshehtë të kryekuvendarit.











