Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se partia e tij ka bërë kompromis sa i përket çështjes së zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, por sipas tij, pavarësisht opsioneve të ofruara nga ai, nuk është arritur konsensusi.
Ai ka thënë se në takim ka bërë dy propozime, atë që kandidatja e partisë së tij, Albulena Haxhiu, të tërhiqet po që se në votimin e parë të fshehtë nuk merr 61 vota si dhe që të ketë marrëveshje për votim të kryetarit dhe nënkryetarëve në një pako.
“Propozimi i parë ka qenë nëse kandidatja për kryetare nuk i merr 61 vota në votimin e fshehtë, atëherë tërhiqet nga kandidatura. Edhe pse ky ka qenë qëndrim i njëanshëm i Haxhiut, unë e respektoj. Ajo nuk dëshiron të votohet dy herë me votim të fshehtë. Kemi lëvizur krahasuar me situatën para të enjtes kur u dha aktgjykimi. Kjo duket që nuk i kishte bërë përshtypje opozitës. Dhe e dyta ishte le ta bëjmë një marrëveshje politike lidhur me nenin 67 të Kushtetutës, marrëveshje në paketë për votimin e kryetarit dhe nënkryetarët. E pastaj nëse nuk duan votim të fshehtë, le të delegojnë përfaqësuesit në komisionin për votim të fshehtë të cilin mund ta rrëzojnë me votë. Procesi ka mbetur në gjysmë. Ne e kemi deleguar aty Hekuran Muratin, ndërsa të tjerët nuk kanë deleguar. Le t’i delegojnë edhe të tjerët dhe pastaj po e rrëzojmë me marrëveshje atë komision e pastaj marrëveshja politike që kryetarja dhe nënkryetarët të votohen në paketë”, u shpreh Kurti pas takimit.
Sipas Kurtit, këto hapa do të mundësonin ecjen përpara në procesin e konstituimit të Kuvendit, por mungesa e gatishmërisë së opozitës e ka lënë procesin në gjysmë.
Ai kritikoi PDK-në dhe LDK-në se po e keqlexojnë dhe keqinterpretojnë publikisht aktgjykimin e Kushtetueses.
Takimin e sotëm Kurti e quajti të vlefshëm për shkak të sqarimeve të ndërsjella, por përsëriti se mënyra si po vepron opozita nuk është e shëndetshme për ndërtimin e institucioneve.











