Kurti: Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri, bombat që hedhin janë pafuqi e tyre politike
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas sulmeve të fundit në veri të vendit, ndaj policëve e zyrtarëve zgjedhorë në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore.
Kryeministri Kurti u shpreh se “Qeveria e Kosovës nuk bën pazare dhe as s’i duron ato”.
Kurti tha më tej se “bombat, plumbat, maskat, janë vetëm pafuqi politike e tyre, dhe se me këto sulme të fundit, do të shtohen prania e Policisë së Kosovës në veri të vendit”.
“Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vie fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje”, u shpreh Kurti.
Kurti u shpreh se “do të kryhen hetimet e nevojshme lidhur me sulmet e fundit”.
:Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj. Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë. Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë. Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët tanë që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë”, përfundon shkrimi i Kurtit./21Media











