Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se Qeveria në krye me Albin Kurtin e ka realizuar agjendën e saj për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe sipas tij, këtë e ka bërë përmes Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE). Krasniqi ka thënë se Kurti e ka rënduar jetën e qytetarëve besimin e së cilëve ka marrë duke u premtuar lirim të çmimit të energjisë.
Ai ka thënë se ZRRE-ja nuk mori vendim të pavarur por vendosi vendim politik.
“ZRRE që me vendimin e saj doli të jetë mbi Kuvendin, por edhe mbi Kushtetutën dhe shtetin e Kosovës. Ajo ju vuri haraç disave për t’i mbuluar disa të tjerë. Ne e paralajmëruam me kohë Qeverinë por ata nuk morën masa, dhe vendosen pasoja. Ata vendosen zgjidhje për rritjen e energjisë elektrike. Sot shtatë javë më vonë ne e jetojmë pasojën e injorimit të Albin Kurtit. Ne kemi pasur propozimet konkrete që nga fundi i shtatorit”, ka thënë ai.
Ai ka deklaruar se PDK do të kundërshtojë vendimin për ngritjen e energjisë përmes çdo mjeti ligjor.
Kuvendi i Kosovës, me kërkesë të tri partive opozitare është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme ku po zhvillohet debat parlamentar lidhur me vendimin e djeshëm të ZRrE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike./21Media










