Krasniqi e jetëson ëndrrën, shpallet kampion në Prishtinë
(Lajm i përditësuar)
Krasniqi e fitoi meçin pasi gjyqtarët e diskualifikuan Mohammedin për shkak të gabimeve të njëpasnjëshme, edhe pse ai ishte duke avancuar me pikë.
Robin Krasniqi-Mohammedi, meçi i shumëpritur në “Fadil Vokrri”
Ka filluar të zhvillohet ngjarja kryesore e natës së sotme të boksit, meçi mes Robin Krasniqit dhe Nadjib Mohammedit.
Boksieri nga Juniku, Krasniqi, po e jetëson ëndrrën e tij që të boksojë në vendlindje, ku tani i ka mbetur ta shënojë këtë datë historike me fitore në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës.
Meçi i takon kategorisë gjysmë të rëndë deri në 79.3 kilogramë, dhe për dallim nga meçet e tjera të sotme, ky do të zhvillohet me 12 raunde,në kuadër të titullit WBC Silver.
Në karrierën e tij, Krasniqi ka 52 fitore, krahas Mohammedit që ka 45 fitore.
Diskualifikohet Mashitoa, fiton Xhoxhaj
Ka përfunduar edhe meçi i shtatë i natës së madhe të boksit në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku boksierët shqiptarë nuk po ndalen së fituari.
Radha për fitore tani ishte për Armend Xhoxhaj, i cili e mposhti boksierin nga Afrika e Jugut, Lebogang Mashitoa.
Mashitoa u diskualifikua pasi që kishte zbathur këpucën e tij në ring, gjë e cila është e ndaluar, dhe e penalizoi atë me humbje përballë Xhoxhajt.
Pas fitores, Xhoxhaj nuk tregoi mëshirë për kundërshtarin afrikan, duke thënë se ai është i mësuar të ec zbathur pa këpuca në vendin e tij.
“Janë mësuar këta në Afrikë me ec dath pa këpuca. Kam mundur luftën ta përfundojë edhe para kohës, kundërshtari është mësuar zbathur, faleminderit shumë Robinit, i uroj fitore!”, tha Xhoxhaj.
Meçi i pestë: Unlukaya bokson kundër Isuf Kelmendit
Ka filluar të zhvillohet edhe meçi i pestë i super natës së boksit që po zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës.
Në meçin e pestë do të boksojnë turku Dokugaan Unlukaya dhe Isuf Kelmendi.
Unlukaya vjen nga Umrania e Turqisë dhe ka vetëm një ndeshje të zhvilluar në karrierë të cilën e ka fituar, ndërsa Kelmendi ka dy fitore në po aq meçe të zhvilluara.
Tahiruka mposht turkun Sahinerol: Falënderoj Zotin që po përjetojë këtë moment para kombit tim
Ka përfunduar edhe meçi i tretë i natës së madhe të boksit në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Në meçin e tretë u përballën Kushtrim Tahiruka me boksierin turk, Oner Sahinerol.
Tahiruka e mposhti Sahinerol me vendim unanim të gjyqtarëve 40-36.
“Falënderoj Zotin që po përjetoj kësi momente para kombit tim. Ishte shumë e rëndësishme të boksojë këtu. I kom premtu vetës që kom me fitu këtu”, tha Tahiruka.
Ahmeti mposht Osmanogllun: Faleminderit Robinit për këtë mbrëmje
Ka përfunduar edhe meçi i dytë i natës së madhe të boksit në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku në fund do të përballet Robin Krasniqi dhe Nadjib Mohammedi.
Në meçin e dytë u përballen Valon Ahmeti dhe boksieri turk, Rojhan Osmanogllu.
Ahmeti e mposhti Osmanogllun 40-37 me vendim unanim të gjyqtarëve.
“Kundërshtari ishte i përgatitur, jam i lumtur qe ishte kaq i mirë, që në fund me pa krejt boks të mirë. Faleminderit prej Robin Krasniqit që e ka organizu këtë mbrëmje kaq të madhe. Fitoren ja kushtoj familjes sime”, tha Ahmeti.
Meçi i dytë i mbrëmjes së boksit: Osmanoglu kundër Valon Ahmetit
Ka filluar të zhvillohet edhe meçi i dytë i mbrëmjes së madhe të boksit, ku në fund përballen Robin Krasniqi dhe Nadjim Mohammedi.
Pas meçit të parë që u zhvillua mes Dielli Vranocit dhe Burak Akkus, ku fitoi boksieri pejan, tani është radha për meçin e dytë mes turkut, Rojhat Osmanogllu dhe Valon Ahmetit, raporton KosovaPress.
Osmanogllu vjen nga Stambolli i Turqisë me rekord prej dy fitoresh e tri humbjeve, ndërsa Ahmeti vjen nga Resinburgu i Gjermanisë dhe ka bilanc prej tre fitoreve.
Vranoci mposht turkun Akkus: Fitoren ia dedikoj publikut
Ka përfunduar meçi i parë i cili është në kuadër të super meçit mes Robin Krasniqit dhe Nadjib Mohammedit.
Boksieri nga Peja, Dielli Vranoci e ka mposhtur boksierin turk, Burak Akkus.
Gjyqtarët vendosën në favor të Vranocit, pasi që kryesonte me pikë 40-35 ndaj Akkus.
“Kurr ma mirë nuk kom kalu” tha Vranoci kur u pyet se si kaloi në Prishtinë.
Se kom bo boksin tem që e di un, qe 10 muj skom boksu. Fitoren ia dedikoj publikut”, tha më tej Vranoci.
Meçi i parë: Dielli Vranoci bokson kundër turkut
Ka filluar të zhvillohet meçi i parë i mbrëmjes së madhe të boksit që po zhvillohet në “Fadil Vokrri” të Prishtinës, ku meçi kryesorë është ai mes Robin Krasniqi dhe Nadjib Mohammedi.
Meçi në kuadër të përballjes së madhe mes Robin Krasniqit dhe Mohammedit, këtë mbrëmje e nis meçi mes boksierit nga Peja, Dielli Vranoci dhe atij nga Turqia, Burak Akkus.
Dielli nuk ka asnjë humbje në karrierë, ndërsa ka një bilanc prej pesë fitoreve dhe dy humbjeve.
Robin Krasniqi dhe Nadjib Mohammedi pritet të boksojnë pas orës 22:00.
Robin Krasniqi-Mohammedi, tifozët po hyjnë në stadiumin “Fadil Vokrri”
Tifozët që kanë blerë biletat për ta parë meçin mes Robin Krasniqit dhe Nadjib Mohammedit tanimë kanë filluar të hyjnë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Si pasojë e motit të ligë tifozët po ulen në pjesën VIP, ndërsa nuk mungojnë përkrahës as në tribunat e tjera të stadiumit.
Krasniqi dhe Mohammedi do të përballen në një duel prej 12 raundeve, për titullin WBC Silver në peshat gjysmë të rënda.
Shtyhen meçet e boksit në Prishtinë









