Kanë kaluar katër muaj prej kur Ministria e Shëndetësisë pati shpallur konkursin për shkollim specialistik, por ende asnjë rezultat, asnjë listë e përzgjedhur, asnjë datë e caktuar…Derisa koha kalon, mjekët e rinjtë që ëndërrojnë të bëhen specialistë, mbeten pezull në një pritje të gjatë e të paqartë. Persona që kanë aplikuar në këtë konkurs, por që për arsye të sigurisë zgjedhin të mbesin anonimë, për televizionin tonë deklarojnë se procesi është stërzgjatur pa arsye të qarta, duke rritur pasigurinë dhe zhgënjimin në mesin e qindra profesionistëve të rinj të mjekësisë.
Për këtë vonesë, Ministria e Shëndetësisë është deklaruar se procesi është fazën finale të përpunimit të të dhënave nga aplikimet. Sipas kësaj ministrie, po punohet me kujdes të shtuar për të ruajtur objektivitetin dhe për të shmangur çdo gabim teknik të mundshëm.
“Pas mbledhjes së të dhënave nga dosja elektronike e aplikimit të secilit kandidat, dhe përkatësisht sipas lëmive, aktualisht procesi është në fazën e përpunimit final të këtyre të dhënave. Është një proces më voluminoz që kërkon prezencën e anëtarëve në kuorum brenda bordit dhe vëmendjen maksimale të secilit anëtar, përkundër angazhimeve profesionale e akademike që ata kanë jashtë Bordit”, thuhet nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndërsa në anën tjetër ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, vlerëson se për këtë proces nuk ka justifikim. Ai ngre dyshimet se ky konkurs ka një prapavijë politike e gjithashtu dhe kalkulime përtej interesit personal dhe shëndetësor të vendit.
“Stërzgjatja e këtij procesi e dëmton motivimin e mjekut të ri por duket që ka edhe ndërhyrje politike dhe interesa të ndryshëm që fatkeqësisht këtu duhet më së paku të përdoren interesant personal e politik. Kjo shtyrje, kjo tendencë krijon një pakënaqësi, demotivim por mbi të gjitha prolongim të mjekëve të ri për shkollimin specialistik gjë që duhet të jetë një e drejtë e garantuar”, tha Zemaj për RTV21.
Në këtë konkurs kanë aplikuar gjithsej 714 kandidatë nga fusha të ndryshme të mjekësisë, stomatologjisë dhe farmacisë, gjë që dëshmon interesimin e lartë për zhvillim profesional në kuadër të sistemit shëndetësor në vend. Ndërkaq nga Ministria e Shëndetësisë hapja e këtij konkursi është vetëm për 272 vende.
Njohësi i shëndetësisë, Talat Gjinolli, vlerëson se vendi ka nevojë urgjente për specialistë të rinj, në të kundërtën Kosova rrezikohet të thellojë më tej krizën e kapaciteteve njerëzore në këtë sektor.
“Kemi një kontroll qendror të specializimeve që është gabim, nuk mundesh me kriju specialist të ri me afate ose me konkurse. Duhet me kriju kushte për edukim të vazhdueshëm të mjekve të rinj edhe ata më pas ka me i apsorbu tregu, ne kemi treg”, tha Gjinolli.
Vetëm gjatë këtij viti sipas odës së mjekëve të Kosovës janë regjistruar 18 kërkesa për largimin e mjekëve nga Kosova, ndërkaq ndër arsyet kryesore të largimit të tyre listohet të jetë mungesa e shkollimit specialistik.









