Ekipi austriak i Heqjes së Mjeteve Shpërthyese (EOD) i misionit KFOR, kreu sot me sukses shpërthimin e kontrolluar të një bombe nga koha e Luftës së Dytë Botërore në Kaçanik, me peshë 250 kg, e cila u gjet nga banorët e zonës, pranë një lumi.
Përgatitja dhe ekzekutimi i këtij aktiviteti u zhvilluan në përputhje me standardet ndërkombëtare për të garantuar sigurinë e komunitetit lokal, nën mbikëqyrjen e komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani.
Aktiviteti është përcjellë edhe nga personeli i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), ndërsa Policia e Kosovës ka koordinuar zonën, raporton KosovaPress.
Ekipet e EOD përbëhen nga personel të specializuar. Ata janë të trajnuar mirë dhe të pajisur për të trajtuar në mënyrë të sigurt pajisjet e pashpërthyera dhe janë të gatshëm t’i përgjigjen kërkesave për ndihmë në këtë domen.









