Edi Rama reagon për protestën e sotme në Prishtinë, ka një pyetje për politikanët e Kosovës
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka postuar foto nga protesta e sotme gjithëpopullore në Prishtinë kundër padrejtësive në Gjykatën Speciale, teksa ka shtruar edhe një pyetje për mungesën e një rezolute nga Kuvendi i Kosovës rreth shkeljeve të procesit të rregullt ligjor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, në të cilën të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiçasgjë?!
Natyrisht që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asnjë cenim e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor me kontributin financiar të taksapaguesve të ve. Po, Liria ka emër dhe nuk është fajtore Shqipëria e Kosova”, ka shkruar Rama në Facebook











