Bosnja kërkon nga Kosova që t’i tërheq masat
Bosnja dhe Hercegovina nuk do të ndërmarrë kundërmasa ndaj Kosovës për shkak të ngritjes së taksës doganore të mallrave prej 100%, por kërkon që Prishtina zyrtare të heqë sa më parë masat e ndërmarra.
Ministri i Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të BeH Mirko Sharoviq, sot pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave në Sarajevë, kërkoi që Kosova të heqë masat, siç u shpreh ai, diskriminuese.
“Këshilli i Ministrave miratoi dy konkluzione, i pari ka të bëjë me vendimin e palës kosovare që është në kundërshtim me CEFTA-n dhe i kërkojmë Kosovës që menjëherë të shfuqizojë këto masa diskriminuese. Gjithashtu, Këshilli i Ministrave i ka kërkuar Komisionit Evropian që të bashkohet me këtë një problem që kërcënon të prishë zonën e tregtisë së lirë të CEFTA dhe të kërkojë nga Prishtina heqjen e këtyre masave”, tha Sharoviq.
Ai theksoi se Komisionari i Zgjerimit të BE dhe Politikës së Jashtme Johannes Hahn ka kërkuar heqjen e masave të Kosovës. Sharoviq beson se BeH nuk ka provokuar një reagim të tillë dhe nuk ishte informuar apo konsultuar me rastin e marrjes së vendimit të Prishtinës.
“Është evidente që masat ekonomike kanë edhe arsye jo ekonomike, dhe kjo është e qartë nga shpjegimi i Kosovës. BeH nuk konsideron kundërmasat, sepse duam t’i japim rastin palës kosovare dhe Komisionit Evropian të zgjidhë rastin në një mënyrë tjetër”, tha Sharoviq.
Ai theksoi se hapi i Kosovës për ngritjen e taksave doganore ndaj mallrave serbe dhe boshnjake ishte “shkelja më serioze e marrëveshjes CEFTA në 12 vjetët e fundit”.
“CEFTA është absolutisht e tronditur dhe ngritet çështja e statusit të asaj marrëveshje. Ai mund të vijë në pyetje nëse kjo nuk zgjidhet”, përfundoi Sharoviq. Qeveria e Kosovës dje vendoi ngritjen e taksës doganore ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës nga dhjetë në 100 për qind./kp









