Asociacioni dhe zgjedhjet në SHBA – katalizatorë të mundshëm të zgjedhjeve të parakohshme
Shmangia e presionit ndërkombëtar për miratimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por edhe droja nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale në SHBA, janë dy arsye përse Qeveria e Kosovës e mbështet idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, thotë Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu”, me seli në Prishtinë.
“Nëse partisë në pushtet nuk i konvenon shkuarja në zgjedhje, ajo do ta pengonte çdo alternativë të mundshme për ta çuar vendin në zgjedhje”, thotë ai për rel.
“Nuk kam unë problem për asnjërin variant… Nëse opozita do zgjedhje të parakohshme, duhet të shpërbëhet Kuvendi”, ka thënë ai, por nuk ka përmendur ndonjë arsye përse do të duheshin zgjedhjet e parakohshme vetëm disa muaj para përfundimit të mandatit qeverisës.
Kurti e ka përsëritur këtë edhe në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, ku ka thënë se për shpërndarjen e Kuvendit, partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, mund ta ndihmojë opozitën për t’i arritur votat e nevojshme.
Opozita, në anën tjetër, kërkon prej kohësh zgjedhje të parakohshme, për shkak të, siç konsideron ajo, dështimeve të vazhdueshme të Qeverisë, qoftë në planin e brendshëm, qoftë në politikën e jashtme. Megjithatë, ajo nuk ka konsensus për mënyrën se si të shkohet në zgjedhje të parakohshme.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, thotë për Radion Evropa e Lirë se partia e saj mbështet idenë që në zgjedhje të parakohshme të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit.
“Ne nuk e kemi saktësuar ende, si lidership i PDK-së, nëse do të ketë shpërbërje të Kuvendit ose mocion të mosbesimit . Por, ai që na bashkon, është fakti se vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe duhet të kërkohet legjitimitet i ri qytetar”, thotë Deliu-Kodra për Radion Evropa e Lirë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se kjo parti nuk ka ndryshuar qëndrim – për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, Qeveria duhet të japë dorëheqje.
Sipas tij, deklarata e Kurtit se partia në pushtet do t’i ndihmojë opozitës t’i arrijë numrat për shpërndarjen e Kuvendit, është “kurth politik, për t’i mbuluar dështimet”.
“Nëse i lexon drejt dështimet e veta, le të japë dorëheqje”, thotë ai.
Haziri pranon se edhe ndërmjet partive opozitare ekziston një “hendek i madh” dhe thotë se nuk mund të ketë marrëveshje për mënyrën se si të shkohet në zgjedhje.
“Ndërmjet opozitës nuk ka bashkëpunim. Jemi larg me agjenda, dallimet janë shumë të mëdha. Sikurse që janë dallimet me partinë shumicë, ashtu janë dallimet në substancë edhe ndërmjet opozitës”, thotë Haziri.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, thotë se kjo parti nuk do të këmbëngulë më në idenë e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë.
“Pse zoti Kurti, kur kërkuam ne mocion, nuk e ofroi këtë në periudhat tjera, pa i shkaktuar dëme vendit? Pse nuk bashkëpunoi me opozitën? Tash po kërkojmë që zoti Kurti të japë dorëheqje”, thotë Kadrijaj për Radion Evropa e Lirë.











