Apeli e refuzon kërkesën e Veselit, Selimit dhe Krasniqit për lirim të përkohshëm
Dhoma e Apelit e Gjykatës Speciale e ka refuzuar kërkesën e Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për lirim të përkohshëm. Ndërsa, Hashim Thaçi nuk ka parashtruar një kërkesë të tillë.
“Sikurse ju kemi informuar më parë, pas refuzimit nga Trupi Gjykues të kërkesave të tyre për lirim të përkohshëm, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi i paraqitën apele Panelit të Gjykatës së Apelit. Më 13 gusht 2025, Paneli i Gjykatës së Apelit i rrëzoi të tre apelet”, është bërë e ditur në njoftimin e Speciales.
Mbrojtja e Veselit kishte parashtruar se çdo rrezik i mbetur i identifikuar nga trupi gjykues, mund të menaxhohet në mënyrë efektive përmes lirimit të përkohshëm me kushte të zbatuara nga Policia e Kosovës.
Ngjashëm edhe mbrojtja e Selimit i ishte referuar garancive të ofruara nga Policia e Kosovës. Gjithashtu, ata kishin argumentuar se përfundimi i çështjes së Prokurorisë i zbut tejmase gjasat që i akuzuari të ndërmarrë veprime penguese ndaj procesit.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimitdhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.











