Banka Evropiane e Investimeve i jep Ukrainës 500 milionë euro
Banka Evropiane e Investimeve (EIB), krahu huadhënës i Bashkimit Evropian, tha se ka disbursuar 500 milionë euro për Ukrainën, si pjesë e paketës së reagimit urgjent të solidaritetit për vendin. EIB t
Banka Evropiane e Investimeve (EIB), krahu huadhënës i Bashkimit Evropian, tha se ka disbursuar 500 milionë euro për Ukrainën, si pjesë e paketës së reagimit urgjent të solidaritetit për vendin.
EIB tha në një deklaratë, më 15 shtator, se fondet janë pjesë e një pakete prej 1.59 miliardë eurosh për Ukrainën, e cila ka garanci nga buxheti i BE-së.
Me këto mjete synohet të ndihmohet Ukraina që të mbulojë nevojat prioritare të financimit afatshkurtër dhe të sigurojë riparime urgjente të rrugëve, urave dhe infrastrukturës hekurudhore të dëmtuar, thuhet në deklaratë.
Ministri i Financave i Ukrainës, Sergii Marchenko, tha se fondet janë “të rëndësishme” për stabilitetin ekonomik të vendit në mes të luftës, e cila tani është në muajin e saj të shtatë.
Kostoja e rindërtimit të Ukrainës pas pushtimit të Rusisë mund të arrijë në 750 miliardë dollarë, tha në korrik kryeministri ukrainas, Denys Shmygal.
Në të njëjtin muaj, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Bashkimi Evropian do të krijojë një platformë për të koordinuar rindërtimin e Ukrainës.
“Që nga fillimi i luftës, Bashkimi Evropian ka mobilizuar rreth 6.2 miliardë euro (6.48 miliardë dollarë) në mbështetje financiare”, kishte deklaruar ajo. “Dhe… më shumë do të vijnë. Ne do të angazhohemi në mënyrë thelbësore në rindërtimin afatmesëm dhe afatgjatë”.
Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur më 24 shkurt./REL

Më të fundit
Të gjitha →
Sot dhe nesër mot me diell dhe temperatura të larta deri në 36 gradë

Katy Perry e vendos flamurin e Kosovës në “hapësirë”

Shpëtohet mrekullisht një fëmijë pas rënies në ujë në Motrovicë





